Një seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit malazez, e cila duhej të votonte projekt-buxhetin e qeverisë për vitin 2025, u ndërpre të martën pasi deputetët e opozitës e penguan atë duke kërkuar tërheqjen e vendimit për daljen në pension të një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese që e konsiderojnë si veprim antikushtetues.
Seanca u ndërpre që në fillim, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren ku kryeparlamentari Andrija Mandiç i paralajmëroi kundër pengimit të punës së Parlamentit.
“Autoriteti i këtij parlamenti vihet në pikëpyetje nga kjo sjellje, por qytetarët duhet ta dinë se shumë do të dëmtohen nëse nuk e miratojmë sot buxhetin”, tha zoti Mandiç, duke shtuar se ndaj deputetëve kishte vendosur një masë, të cilën do ta bënte publike me shkrim.
Opozita mungoi gjithashtu në parlament të premten, kur Komisionerja për Zgjerimit të BE-së Marta Kos iu drejtua deputetëve dhe BE-ja propozoi gjithashtu që Komisioni i Venecias të përfshihet në mosmarrëveshjen kushtetuese.
Pas shtyrjes së seancës së sotme opozita njoftoi se nuk është kundër konsultimit të qeverisë me Komisionin e Venecias për krizën kushtetuese.
“Qeveria duhet të kishte marrë parasysh pasojat që shpallëm për shkeljen e Kushtetutës. Por qeveria nuk dëshiron ta bëjë këtë. Opozita është aty për të mbrojtur Kushtetutën kur qeveria nuk funksionon. Nuk kemi asnjë problem që qeveria të konsultohet me Komisionin e Venecias”, tha opozita.
Analistët dhe shoqëria civile në Mal të Zi paralajmërojnë për një krizë të re kushtetuese pasi kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiç, duke iu referuar përfundimeve të Komisionit Kushtetues, deklaroi në dhjetor se anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u janë ndërprerë detyrat e tyre.
Këto fërkime të ashpra politike vijnë pas Konferencës Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli tre kapituj duke bërë gjithsej gjashtë që nga hapja e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2012.
Gjithçka ishte gati që Mali i Zi të mbyllte kapitullin “Politika e Jashtme, Siguria dhe Mbrojtja”. Megjithatë, Kroacia, fqinj i Malit të Zi, nuk dha pëlqimin e saj për shkak të “çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës së kaluar.”