45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e të moshuar u vranë më 15 janar të vitit 1999 nga ushtria serbe, duke shënuar kështu 26 vite nga Masakra e Reçakut.

Presidenti Bajram Begaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, deklaroi se denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj.

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur. Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj. Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj! Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”!”, shkruan Begaj në Facebook.