Sérgio Conceição është i tërbuar. Humbja e rëndë që Milani pësoi të shtunën në fushën e Juventusit e ka zemëruar shumë trajnerin portugez, i cili me siguri nuk e priste një hap mbrapa kaq të madh nga skuadra e tij në aspektin karakterial dhe luftarak. Humbja mund të pranohet, por jo në këtë mënyrë.

“Djalli” nuk tregoi asnjë ide loje në fushë, duke dëshmuar mungesë të grintës dhe dëshirës për të marrë përgjegjësitë e veta. Trajneri foli ashpër me lojtarët në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, por veçanërisht gjatë një mbledhjeje të fundit në Milanello, ku ishte i pranishëm edhe Zlatan Ibrahimovic.

Trajneri Conceição nuk pa asgjë nga ato që ishin përgatitur përballë bardhezinjve, por ajo që e zhgënjeu më shumë ishte mungesa e dëshirës dhe agresivitetit të skuadrës. Ai ua bëri të qartë lojtarëve se duhet të marrin përgjegjësi, përndryshe do të ketë masa të rënda. Në fund të fundit, merkatoja e dimrit është ende e hapur dhe klubi e di mirë që skuadra ka nevojë për përforcime. Ajo që ka habitur edhe më shumë është rrëfimi që, sipas “Corriere della Sera”, trajneri ua ka bërë disa miqve të tij të ngushtë dhe besnikë. Përtej nivelit mesatar të cilësisë, Conceição ka zbuluar se ky është grupi me më pak karakter dhe dëshirë për të fituar që ka trajnuar ndonjëherë në karrierën e tij.

Një ndjenjë që duket qartë edhe nga jashtë, e reflektuar në fytyrat e lojtarëve kuqezinj në fushë. Frika për të luajtur dhe për të gabuar është e pranishme, dhe trajneri portugez nuk e pranon këtë gjë. Conceição po bën gjithçka për të ndryshuar situatën, por diçka duhet të ndryshojë në themel, përndryshe kjo do të jetë një tjetër sezon i dështuar për Milanin.