Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës vizitojnë të premten Damaskun dhe do të takohen me liderin e ri de facto Ahmed al-Sharaa.

Annalena Baerbock e Gjermanisë dhe Jean-Noel Barrot i Francës janë ministrat e parë nga BE që vizitojnë Sirinë që kur rebelët morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor dhe detyruan presidentin Bashar al-Assad të ikte pas më shumë se 13 vitesh luftë civile, duke i dhënë fund sundimit të tij prej dekadash.

“Udhëtimi im sot…është një sinjal i qartë për sirianët: Një fillim i ri politik midis Evropës dhe Sirisë, midis Gjermanisë dhe Sirisë, është i mundur,” tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock para se të nisej për në Damask.

Barrot shprehu shpresën e tij “për një Siri sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore” pasi mbërriti në Damask, ku vizitoi edhe ambasadën franceze, e cila është mbyllur që nga viti 2012.

Që nga rrëzimi i Asadit, rebelët islamikë të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) e Sharaa-s janë përpjekur të sigurojnë vendet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve dhe nuk do të eksportojnë revolucionin islamik.

Qeveritë perëndimore kanë filluar të hapin gradualisht kanale me Sharaa dhe HTS, një grup mysliman sunit i lidhur më parë me Al Kaedën dhe Shtetin Islamik, dhe kanë filluar të diskutojnë nëse do të heqin përcaktimin terrorist të grupit.

“Ne e dimë se nga vjen HTS ideologjikisht, çfarë ka bërë në të kaluarën. Por ne gjithashtu dëgjojmë dhe shohim dëshirën për moderim dhe mirëkuptim me aktorë të tjerë të rëndësishëm“, tha ministrja gjermane, duke përmendur bisedimet me Forcat Demokratike Siriane kurde (SDF) aleate të SHBA-së.