Le ta pranojmë, thuajse të gjithë marrim telefonin me vete kur shkojmë në tualet.

Tre minuta mund të shndërrohen shumë shpejt në 15, në momentin që ti rri duke parë postime e video në rrjetet sociale.

Duket si një “ves” që ka lindur bashkë me pajisjet teknologjike dhe i padëmshëm, por në fakt nuk është kështu.

Ekspertët paralajmërojnë se qëndrimi për një kohë relativisht të gjatë në tualet është i rrezikshëm për shëndetin tuaj.

Së pari, lidhet me rrezikun e shfaqjes së hemorroideve dhe dobësimin e legenit.

Ka edhe një shpjegim për këtë që lidhet me fizikën. Graviteti na mban në tokë apo jo? Por i njëjti gravitet e bën trupin të “punojë” për qarkullimin e gjakut. “Froni” prej porcelani në formë ovale ku ne ulemi në tualet është në një pozicion shumë më të ulët se sa një kolltuk. Rrjedhimisht i krijon një lloj presioni trupit dhe vështirëson funksionimin normal të qarkullimit të gjakut.

Së dyti, mund të shkaktojë prolaps rektal që në gjuhë të thjeshtë është “dëmtim i zorrës së trashë e që mund të pasohet me ënjtje apo irritim”. Më tej, ekspertët shëndetësorë thonë se qëndrimi ulur në tualet për një kohë të gjatë shkakton edhe kancer.

Kështu, sugjerohet që për të mirën e shëndetit tuaj të mos shpenzoni më shumë se 10 minuta në tualet.