“Diskutimet për një mundësi hyrje në menaxhimin e Girondins de Bordeaux janë në fazën e tyre fillestare. Aktualisht, nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”. Kështu është shprehur Oliver Kahn, i cili në një intervistë për “Bild” ka konfirmuar atë që ishte paralajmëruar disa orë më parë nga gazeta franceze “Sud-Ouest”: ish-portieri i kombëtares gjermane, si dhe administratori dhe presidenti ekzekutiv i Bayern Munich (deri në maj të vitit 2023), është i interesuar për të blerë klubin e njohur të futbollit francez që, pas problemeve të rënda financiare të viteve të fundit, tani ndodhet në “Championnat National 2” (kategoria e katërt, e barabartë me Serie D në Itali).
Në mbështetje të Kahn, i cili po merret personalisht me mbledhjen e fondeve të nevojshme për blerjen e klubit, do të jetë ish-presidenti i Olympique Marseille, Jacques-Henri Eyraud, i cili në dhjetor ka filluar bisedimet me pronarin aktual të “Girondins”, Gérard Lopez, si dhe me Bashkinë e Bordeaux. Në fakt, qysh verën e kaluar, legjenda e futbollit gjerman kishte shprehur interesin për të marrë pronësinë e një klubi futbolli: “Investimi në futboll është ndryshe nga investimi në një fabrikë bulonash. Futbolli ka të bëjë me kulturën, identitetin dhe komunitetin. Nëse gjithë kjo ekziston, mund ta mendoj ta bëj”.
Te Bordeaux, situata është shumë e komplikuar, pasi klubi ndodhet aktualisht nën administrim të kontrolluar. Nën verdiktin e Gjykatës Komerciale, klubi historik rrezikon likuidimin gjyqësor. Një seancë, e para, e cila mund të jetë tashmë vendimtare për të ardhmen e klubit, është caktuar për më 21 janar.
I themeluar në vitin 1881, “Football Club des Girondins de Bordeaux” ka fituar 6 tituj kombëtarë (të fundit në sezonin 2008/09), 4 Kupa të Francës, 3 Kupa të Ligës dhe 3 Superkupa Franceze. Gjithashtu ka fituar Kupën Intertoto 1995 dhe humbur finalen e Kupës UEFA në vitin 1996, pikërisht kundër Oliver Kahn dhe Bayern Munich (5-1 në total në favor të gjermanëve të trajnuar nga Franz Beckenbauer).
Kapiten i atij Bordeaux ishte Bixente Lizarazu, simbol i ardhshëm i bavarezëve, si dhe dy talente të rinj që, shpejt pas kësaj, do të bënin bujë: Zinédine Zidane dhe Christophe Dugarry. Të tre ata do të bëheshin kampionë bote në “Francë 1998”. Një e kaluar e lavdishme nuk ka qenë kurrë kaq e pasigurt, ndaj po ngrihet pyetja: A do të mund ta shpëtojë Bordeaux një legjendë gjermane e futbollit si Kahn?