Nga Mero Baze

Le të inskenojmë një ngjarje për të kuptuar pse ka një ngërç në veprimin e SPAK ndaj Sali Berishës për 21 Janarin. Meqë Sali Berisha njofton çdo javë protesta të dhunshme para Bashkisë, Parlamentit apo Kryeministrisë, le të dalë Edi Rama e të thotë: “I them Sali Berishës se nëse shfaqet para Kryeministrisë, do ta presë plumbi në lule të ballit dhe urdhëruesi jam unë.” Kjo, natyrisht, nuk ka lidhje me 21 Janarin në vetvete, por lidhet me atë që ndodhi pas 21 Janarit, kur Berisha, pasi vrau, u trimërua dhe nisi t’i konsideronte të ligjshme vrasjet e kujtdo që i shkonte para zyrës për protestë.

Është shumë e sigurt se, nëse Edi Rama e mban sot këtë fjalim, arrestohet. Nëse e mban Erion Veliaj, e marrin nga zyra pa mbaruar fjalimin. Nëse drejtori i sotëm i Policisë së Shtetit refuzon të arrestojë ata që urdhëron SPAK, ai shkon në qeli para tyre. Nëse rezulton se Edi Rama fshin serverat e kamerave, apo nuk u jep akses hetuesve, ai arrestohet. E kështu me radhë, për çdo analogji që mund të bëjmë me atë që nuk është bërë dhe vazhdon të mos bëhet për 21 Janarin.

Pra, sot jemi të sigurt që kemi një standard tjetër drejtësie me mënyrën se si sillen ndaj ngjarjeve dhe fakteve në ditët e sotme. Madje, në shumë raste kemi tejkalim të së drejtës dhe linçim popullor, duke prodhuar lajme nga prokuroria, që nuk i përgjigjen të vërtetës, por krijojnë klimë linçuese ndaj personazheve të cilët janë projektuar të arrestohen.

I vetmi rast kur SPAK krijon kontrast të thellë me veten e vet është 21 Janari.

Disa nga prokurorët e sotëm të SPAK janë dëshmitarë se si shokët e tyre prokurorë, më 21 Janar, i përzunë nga sheshi para Kryeministrisë dhe fshihnin fishekët me nxitim në sytë e tyre, duke ndërruar edhe portën e godinës. Janë dëshmitarë se si i lanë gjithë natën jashtë dhe nuk u lejonin serverin e Gardës, deri sa e fshinë atë në orën 1:30 të natës, sipas ekspertizës së SHBA. Janë dëshmitarë se në mëngjes, kur morën refuzimin e fundit për t’i lënë të hetonin, jo vetëm që nuk vepruan, por i vunë prokurorët nën akuzë se “kishin një plan B”, që ishte gjoja grushti i shtetit.

Minimumi, ata janë dëshmitarë se Ina Rama u quajt nga kryeministri “lavire bulevardi”, dhe kjo nuk kishte të bënte vetëm me poshtërimin e saj, por me gjithë drejtësinë që tentonte të hetonte pushtetin.

Vrasjet e 21 Janarit janë ndër vrasjet më të dokumentuara në botë. Ato janë regjistruar dhe transmetuar drejtpërdrejt me kamera, si vrasësit ashtu edhe të vrarët. Urdhëruesi i ka marrë përsipër ato, fillimisht duke fajësuar opozitën, derisa prishi provat natën dhe në mëngjes akuzoi Presidentin e Republikës dhe Kryeprokuroren si puçiste. Bashke me te dhe katër gazetarë.

Më tej, vazhdoi refuzimi për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe ngritja e Komisionit parlamentar për hetimin e “grushtit të shtetit”, që synonte të frikësonte prokurorinë.

Është e çuditshme se si SPAK, që vihet në lëvizje për të gjurmuar hollësi pa fund për zyrtarë të lartë lidhur me vepra korrupsioni, ka qenë palë në Gjykatën e Lartë kur po kthehej çështja e 21 Janarit dhe kishte dalë kundër kthimit të saj. Tani, thjesht u ka mbetur në derë prej vendimit të Gjykatës së Lartë dhe nga thirrja për drejtësi e katër qytetarëve të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur më 21 Janar, të cilët kanë humbur jetën nga Sali Berisha.

Kanë një vit që mendojnë pa thirrur ende në hetim Sali Berishën dhe të tjerët, duke thyer çdo rekord në histori për një vrasje politike, ku autori që i ka marrë përsipër vrasjet nuk pyetet pse i ka vrarë.

Nuk dua ta paragjykoj situatën; ndoshta ata (SPAK) i kanë mbyllur dosjet dhe i kanë gati provat për gjykim. Por shpejtësia me të cilën veprojnë për çështje që s’kanë urgjencë, arrestimet e vrullshme të zyrtarëve, thuajse pasivë në histori korrupsioni, dhe lënia e lirë e autorëve të një ngjarjeje që ka shënuar historinë e demokracisë shqiptare — si një pikë e rrezikshme që ka hyrë në historinë e shtetit shqiptar si krim politik — e vë SPAK-un në një pozitë të vështirë për t’u shpjeguar. Sidomos nëse llogarisim se ata nuk e kanë frikë Sali Berishën.

Ndryshe, duket sikur merren me të për ndonjë çështje korruptive, që ta dënojnë si Nexhmije Hoxhën për “kafetë dhe pijet”, dhe ta lënë të lirë për një krim shtetëror, i cili kthehet në precedent për këdo Kryeministër në këtë vend, si një leje për të vrarë kur i rrezikohet pushteti.

Dhe nëse nuk hetohet apo dënohet Sali Berisha, 21 Janari duhet hetuar dhe dikush duhet ndëshkuar. Nëse keni frikë Sali Berishën, ejani na arrestoni ne, që na akuzoi për grusht shteti. Bamir Topin të lirë e keni. Ina Ramën, po këtu e keni, besoj ja gjeni adresën. Unë dhe tre kolegët e tjerë të akuzuar si puçistë këtu jemi. Të paktën të duket që e bëtë një punë.