Vrasja e tmerrshme e Liridona Ademajt tronditi të gjithë opinionin publik në Shqipëri dhe në Kosovë. Mbrëmjen e djeshme, në Top Story, analisti Arjan Curi pohoi se për shkak të deklaratës që bëri pak muaj më parë, ku implikonte emrin e politikanit Behgjet Pacolli në vrasjen e Liridona Ademajt nga bashkëshorti Naim Murseli, është kërcënuar.
Shkak i vrasjes së Liridonës mund të ketë qenë një lidhje jashtëmartesore e Naim Murselit, pra një person i tretë ka hyrë në lidhjen e tyre.
“Ne patëm guximin të themi në këtë emision atë që mediat e Kosovës, por edhe njerëz që janë brenda qarqeve të larta politike në Kosovë, e pëshpërisnin me njëri-tjetrin, por asnjëri nuk kishte guxim ta thoshte. Naim Murseli, për shkak të të qenit këshilltar i Behgjet Pacollit, ka qenë edhe në Mar-a Lago, në vilën e Donald Trump. Ky njeri që arriti të kalojë të gjithë filtrat e sigurisë së një shteti, arrin dhe bën këtë krim makabër, për shkak të një tradhtie bashkëshortore dhe një trekëndëshi bashkëshortor, që kur unë e thashë këtu në emision këtë, kam marrë kërcënime të tmerrshme. Ta dinë dhe ata që po na dëgjojnë, që nuk na mbyllin dot gojën, as me kërcënime, as me gjykata, sepse vetëm në Rusinë e Behgjetit mund të dënohen njerëzit për opinione, në asnjë vend tjetër të botës nuk ndodh kjo” – tha Curri në “Top Story”.
“Një person i tretë prishi martesën”, zbulohen detaje
Ndërkohë, avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, tregoi se Naim Murseli ka dashur të kishte lidhje të tjera jashtëmartesore.
Ai shprehet se Liridona e fali tradhtinë e parë të Naimit dhe kërkoi që ta linin pas krahëve dhe të vazhdonin një jetë normale si çift, por që Naimi kërkoi me çdo kusht që ta hiqte qafe partneren e tij, e cila do ta pengonte atë që të bënte një jetë të shfrenuar.
“Kjo çështje është munduar të tejkalohet vetëm nga Liridona. Pra nëse Liridona ka pranuar një pakt të tillë, që ta mbyllë këtë si çështje dhe të vazhdonin një jetë normale si çift, duket si Naimi nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Naimi ka dashur një jetë më të lirë, një jetë pa Liridonën, e cila mund ta pengojë, jo medoemos me të njëjtin person, por që të kishte një jetë më të shfrenuar”,- u shpreh Syla.