Turneu i Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vazhdoi në Itali me një ndalesë në Saluzzo, një qytet të vogël por me një komunitet të konsiderueshëm shqiptar, të cilëve deputeti socialist u kërkoi që të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet e 11 majit.

“Duhet t’i shfrytëzojmë këto takime, por kjo nuk mjafton. U takuam, diskutuam, por në fund duhet të shkojmë të marrim telefonin, kompjuterin, të regjistrohemi dhe të kemi një pjesëmarrje kaq mbresëlënëse,” u tha Balla shqiptarëve të mbledhur në sallën e takimit në Saluzzo.

Gjatë takimit, ai u tregoi emigrantëve për Paketën e Maleve, nisma ligjore e qeverisë për investim në turizmin malor duke shndërruar pronat në agro-turizëm.

“Duam shumë që ata prej jush që kanë bërë sukses të vijnë të investojnë në Shqipëri. Paketa e Maleve është pa dyshim një instrument i ri që synon të zhvillojë zonat tona kodrinore dhe malore, nisur nga një eksperiencë tanimë në Shkodër apo të gjitha qarqet malore. Ne e kemi miratuar në qeveri dhe do ta ratifikojmë në parlament, për t’i garantuar çdo banori në zona malore që tokën e vet, shtëpinë e vet, ta bëjë me letra me 1 euro, të certifikosh të gjithë pronën tënde që ti ke. Takova dy vetë që e kanë filluar tanimë dhe po ia shohin kimetin” deklaroi Balla.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste bëri një paralelizëm me futbollin, duke thënë se Partia Socialiste është Interi i Serisë A, ndërsa të tjerët janë në kategori më të ulëta.
“Nuk ndërrohet shoferi në rrugë, jemi nisur ta çojmë Shqipërinë në BE dhe një gjë është e sigurt, do të bëhet brenda mandatit tonë të katërt, me Edi Ramën në krye”