Partizani ngjitet në krye të klasifikimit të Kategorisë Superiore (34 pikë, aq sa kanë grumbulluar Vllaznia e Dinamo) në përfundim të javës së 20-të, por këtë e bën jo me fitore në përballjen ndaj Skënderbeut në “Arenën e Demave”.
Të kuqtë ishin në epërsi të një goli (i shënuar nga Bintsouka-s në fundin e pjesës së parë, pas një aksioni të gjatë) deri në minutën e dytë shtesë, por pikërisht atëherë kur përqendrimi duhej të ishte maksimal, u ndëshkuan nga Nikaj, duke lënë dy pikë t arta në shtëpi, me rezultatin përfundimtar 1-1.
Edhe pse në këtë ndeshje Veselinovic ishte i detyruar të luante pa katër lojtarë të formacionit bazë, Rrapaj, Hadroj, Cara e Mba, të cilët janë larguar me hapjen e merkatos dimërore, Partizani pati mundësinë për të marrë tri pikë ndaj një Skënderbeu që duket se do ta ketë mision të pamundur mbijetesën.
Elbasani siguron fitoren e dytë radhazi nën drejtimin e Ivan Gvozdenovicit, që triumfoi me përmbysje 3-1 ndaj Teutës në “Elbasan Arena”.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e durrsakëve flë golit të debutuesit Beshiraj, por në pjesën e dytë verdheblutë reaguan me forcë duke shënuar tri herë me të njëjtin autor Arsen Lleshi.
I jashtëzakonshëm sulmuesi 25-vjeçar, i cili me këtë tregolësh (merr topin në shtëpi) mban ende në garë Elbasanin për një vend në katërshen e parë, megjithëse Egnatia e vendin të katërt pesë pikë më shumë.