Krimi i Organizuar nuk ka qenë gjithmonë i tillë.
Në fillim të shekullit të 20-të, në New York City, ajo që sot e quajmë mafia nuk ishte aq e organizuar. Grupe të ndryshme kriminale konkurronin mes tyre dhe ndonëse secili kishte një farë strukture të brendshme, mes tyre mbretëronte anarkia.
Nga viti 1929 deri në 1931, shpërtheu një luftë mes disa grupeve kriminale dhe kur gjithçka përfundoi, të gjitha grupet e mëdha mafioze në New York gjetën një mënyrë për të bashkëpunuar – ose të paktën për të mos qenë më në konflikt të hapur mes tyre.
Rrënjët e Mafias në Nju Jork
Përpara se të flasim për krijimin e Pesë Familjeve dhe ngjarjet që çuan në krijimin e Komisionit – që vendosi “organizimin” në krimin e organizuar – është e rëndësishme të kuptojmë se si u formua mafia në Nju Jork.
Ajo e ka origjinën tek emigrantët italianë të fundit të shekullit të 19-të. Shumë emigrantë, veçanërisht nga Sicilia, Kalabria dhe Napoli, sollën me vete traditat e tyre mafioze.
Mafia siçiliane – e njohur si Cosa Nostra, një rrjet sekret kriminal, u prezantua nga emigrantët sicilianë. Camorra dhe ‘Ndrangheta – emigrantët nga Napoli dhe Kalabria sollën grupet e tyre kriminale.
Këto grupe u angazhuan në zhvatje, trafik droge, bixhoz dhe fajde, duke shfrytëzuar kryesisht bashkëkombësit e tyre.
Para strukturimit: Dora e Zezë
Në fillim të viteve 1900, komunitetet italiane në Nju Jork u dominuan nga banda të vogla mafioze, sidomos në lagjet Little Italy, East Harlem dhe Brooklyn. Para se mafia të bëhej e strukturuar, bandat italiane përdornin një metodë primitive zhvatjeje të quajtur Dora e Zezë (Black Hand).
Dora e Zezë nuk ishte një organizatë e mirëfilltë, por një metodë zhvatjeje e përdorur nga kriminelë të pavarur, ose banda të vogla. Ata dërgonin letra anonime ku kërcënonin viktimat me dhunë, zjarrvënie ose rrëmbim nëse nuk paguanin. Këto letra shpesh nënshkruheshin me një shenjë dore të zezë për të krijuar frikë.
Ndërsa Mafia, veçanërisht Cosa Nostra, synonte të kontrollonte industri dhe të krijonte biznese të gjera kriminale, Dora e Zezë ishte kaotike dhe e përkohshme. Mafia filloi të eliminonte këto operacione pasi i shihte si joprofesionale dhe të dëmshme për bizneset më fitimprurëse.
Prohibicioni: Momenti vendimtar
Ajo që ndryshoi rrënjësisht mafian ishte Prohibicioni (ndalimi i shitjes së alkoolit). Ky ligj krijoi një treg të zi të jashtëzakonshëm, duke i dhënë mundësi mafias të grumbullonte pasuri dhe pushtet si kurrë më parë.
Kontrabanda e alkoolit u bë biznesi më fitimprurës, kurse Mafia krijoi zinxhirë furnizimi, rrugë kontrabande dhe rrjete shpërndarjeje.
Dy bosët më të fuqishëm të kohës ishin Giuseppe “Joe the Boss” Masseria dhe rivali i tij Salvatore Maranzano.
Lufta e Castellammarese: Beteja për kontrollin
Nga viti 1929 deri në vitin 1931, Nju Jorku u përfshi në një luftë të hapur midis dy fraksioneve të mëdha mafioze. Masseria përfaqësonte mafian tradicionale të Nju Jorkut, ndërsa Maranzano erdhi nga Castellammare del Golfo, Siçili, me synimin për të marrë kontrollin e qytetit.
Lufta shpërtheu për disa arsye:
Ndarje etnike dhe rajonale – Masseria kishte njerëz nga Sicilia dhe Napoli, ndërsa Maranzano mbështetej kryesisht nga sicilianët.
Dallime në filozofinë e udhëheqjes – Masseria ndiqte rregullat tradicionale, ndërsa Maranzano kërkonte një hierarki të strukturuar, frymëzuar nga legjionet romake.
Kontrolli i tregut të alkoolit – të dy donin monopolin mbi tregun e ndaluar të alkoolit.
Lucky Luciano: Arkitekti i Mafias moderne
Në këtë situatë hyn në lojë një figurë kyçe: Salvatore “Lucky” Luciano. Luciano, një gangster ambicioz, punonte për Masserian, por shihte një problem me “mentalitetin e vjetër” të mafias.
Ai krijoi aleanca me gangsterë hebrenj dhe irlandezë, si Meyer Lansky dhe Bugsy Siegel. Në vitin 1931, Luciano e tradhtoi Masseria-n, duke organizuar vrasjen e tij në një restorant në Coney Island.
Me Masserian tashmë të eliminuar, Maranzano u bë bos i të gjithë mafias në New York. Ai e strukturizoi mafian në Pesë Familje, duke vendosur një hierarki të re.
Por Maranzano ishte paranojak. Ai planifikoi vrasjen e Luciano-s, por ky i fundit veproi i pari dhe në shtator 1931 e vrau Maranzanon duke thyer traditat mafioze dhe përdorur vrasës hebrenj,.
Në vend që të merrte titullin “Bos i Bosëve”, Luciano krijoi një sistem të ri: Komisionin. Kjo ishte një strukturë si bord drejtues kompanish biznesi, ku bosët kryesorë vendosnin me votë:
Parandalimin e konflikteve – shmangien e luftërave të panevojshme.
Rregullimin e aktiviteteve kriminale – vendosja e rregullave për të siguruar fitime.
Vendimmarrjen për vrasjet – eliminimi i figurave të fuqishme duhej miratuar nga Komisioni.
Menaxhimi i territoreve – përcaktimi i zonave të kontrollit për secilën familje.
Familjet që krijoi Maranzano më vonë morën emrat e bosëve të rinj në vitet ’60: Bonanno (Joseph Bonanno); Genovese (Vito Genovese, pasuesi i Luciano-s); Gambino (Carlo Gambino); Lucchese (Tommy Lucchese); Colombo (Joseph Colombo).
Ndërkohë, Luciano u arrestua në vitin 1936 dhe u dëbua në Itali në 1946, pas një marrëveshjeje me qeverinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Megjithëse mafia ende ekziston, Komisioni nuk ka më fuqinë e dikurshme. Rënia filloi me bastisjen në Apalachin në vitin 1957, kur një mbledhje e bosëve u zbulua nga FBI, duke ekspozuar strukturën e mafias. Luciano vdiq në vitin 1962, por trashëgimia e tij mbetet. Ai është arkitekti i mafias moderne, njeriu që e shndërroi mafian nga një rrjet kaotik në një organizatë kriminale të strukturuar. / bota.al