Nga Katerina Marku/

Pas procesit “Screening” që ka të bëjë me përafrimin e legjislacionit tonë kombëtar me atë të BE, Shqipëria ka kaluar në fazën pasuese që është hapja e kapitujve të negociatave. Janë gjithsej 35 kapituj për t’u negociuar në proçesin e anëtarësimit që mbulojnë fusha të ndryshme si ekonomia, drejtësia, mjedisi, energjia, arsimi, të drejtat themelore etj. Kapitulli 15 dhe 27 janë kapitujt e Energjisë dhe Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, respektivisht. BE ka një angazhim të qartë për të arritur reduktimin e emetimit të gazrave serë si dhe për të zhvilluar politika të qëndrueshme për energjinë dhe klimën. Duke qene gjithashtu vend anëtar i Komunitetit të Energjisë, ne jemi të detyruar të harmonizojmë politikat tona energjitike dhe klimatike me ato të familjes europiane që aspirojme të bëhemi pjesë, për të kontribuar jo vetëm në sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm por edhe për të shmangur penalitetet për mosrespektimin e ketyre standardeve. Një prej dokumenteve më strategjik është Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës (PKEK), që cdo shtet anëtar i BE si dhe shtetet e tjera kandidate (rasti ynë) duhet ta hartojnë për të përcaktuar politikat dhe masat për tranzicionin energjitik dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Përmes PKEK ne përcaktojme se si do t’i përmbushim këto kritere deri në vitin 2030, si dhe në perspektivën afatgjatë deri në vitin 2050, me objektiva dhe masa konkrete. Në planin me 358 faqe dhe 92 politika lidhur dhe me pesë dimensionet të unionit të energjisë (dekarbonizimi, efiçenca, siguria energjitike, tregu i brendshëm dhe inovacioni), ka tërhequr vëmendjen një prej propozimeve të paraqitura në kuadër të transportit, që synon reduktimin e lëvizjes së makinave në zonat urbane në ditë caktuara të javës. Ky propozim i hedhur për konsultim publik, ka shkaktuar reagime të ndryshme midis eksperteve, qytetarëve dhe grupeve të interesit mbi përfitimet dhe pasojat që mund të ketë për jetën tonë të përditshme.

Përqëndrohemi fillimisht në qëllimet kryesore të këtij propozimi, duke shqyrtuar përfitimet që mund të sjellë. Së pari, ndotja që vjen vetëm nga transporti në Shqipëri është rreth 3.3 milionë ton gazra ndotës në vit sipas të dhënave të Co- Plan, duke e bërë kështu një ndër sfidat më të mëdha me të cilat po përballemi. Bazuar tek statistikat e OBSH, ndotja e ajrit është një nga shkaktarët kryesorë të problemeve të shëndetit publik, duke përfshirë sëmundje të zemrës, probleme me mushkëritë dhe rritje të shpeshtësisë së sëmundjeve të tjera. Një masë për të reduktuar përdorimin e makinave mund të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe shëndetit tonë. Së dyti, ky propozim do të ishte një shtysë e fortë për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të transportit publik dhe atij alternativ si ecja, pedalimi, makinat elektrike dhe shërbimet e tjera ekologjike. Nxitja e përdorimit të këtyre formave të transportit mund të krijojë mundësi të reja punësimi dhe të kontribuojë në krijimin e një infrastrukture më të qëndrueshme. Së treti, një trafik i reduktuar dhe më i kontrolluar do të thotë më shumë hapësira publike për qytetarët. Kjo do të rriste cilësinë e jetesës dhe të krijonte mundësi për aktivitete sociale dhe kulturore në hapësira të lira – siç kemi vënë re në rastin e ditëve pa makina që zhvilloheshin në një të dielë të cdo muaji, me bulevardin dhe rrugët kryesore që tejmbusheshin me prindër e fëmijë duke e përkthyer këtë nismë në një sukses të menjëhershëm. *Kjo nuk anashkalon rëndësinë e parqeve dhe hapësirave publike nëpër blloqet urbane, përkundrazi.

Sidoqoftë, pas këtyre rreshtave të shkruajtura deri më tani duke shpjeguar rëndësinë dhe disa nga të mirat e këtij proçesi, kundërshtitë do të lulëzojnë disa me baza e disa pa (që ndodh me çdo propozim). Kthehemi kështu tek rëndësia e balancës dhe ndërgjegjësimit. Pavarësisht përfitimeve të vlefshme, propozimi i reduktimit të lëvizjes së makinave nuk është dhe nuk do të jetë pa sfida. As qytetet tona simotra si Madrid, Copenhagen, Paris, nuk e kanë patur të lehtë.. por jo të pamundur, mjafton vullneti dhe balancimi i duhur (?!) i strukturave përkatëse shoqëruar me ndërgjegjësimin dhe mirëkuptimin e komunitetit. Për këtë arsye është e rëndësishme që ky proçes të menaxhohet me kujdes duke mësuar nga shembujt e suksesit.

Investimi paralelisht dhe vazhdimisht për një sistem transporti më efikas do e bënte propozimin më të pranueshëm dhe të dobishëm për qytetarët e mbi te gjitha më tërheqës dhe të përshtatshëm. Dy shembuj konkret e te vlefshëm janë inkorporimi i transportit urban të Tiranës në hartën e Google, ku qytetaret kanë mundësi të shohin në kohë reale saktësisht se kur u vjen autobusi duke ndihmuar në mirëmenaxhim të kohës së pritjes, si dhe projekti ambicioz, tanimë në proçes implementimi, “Bus Rapid Transit”, me vlerë rreth 110 milionë euro mbështetur nga KfW Gjermane, që synon të krijojë një sistem transporti publik më efikas dhe miqësor me mjedisin duke përdorur autobusë elektrike në korsi të dedikuara për linjat: Unaza, Tirana e Re dhe Kombinat-Kinostudio. Më tej, infrastrukturat për biçikleta jane një alternative tjetër ku duhet thënë që kryeqyteti ka ecur me ritme të shpejta në këtë drejtim sidomos pas pandemisë, me rritjen e konsiderueshme numrit të korsive (61.7 km) . Siç thonë “If you build it, they will come” kështu ndodhi, nisur dhe nga të dhenat e komunitetit të çiklistëve në Tiranë “Cyclists of Tirana” dhe GIZ – në një javë në tre prej rrugeve të kryeqytetit (Rr. Kavajës, Rr.Luigj Gurakuqi, Rr.Abdyl Frashëri) janë numëruar rreth 65.000 udhëtime më biçikletë. Mundësimi i transporteve alternative e bën më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët që të kalojnë nga transporti individual në variante më të qëndrueshme, duke ndihmuar kështu dhe në uljen e presionit mbi transportin publik.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është ndërgjegjësimi qytetar. Propozimi duhet të shoqërohet me një fushatë të gjerë informimi dhe konsultimi të mirëfilltë (jo sa për t’u shkruajtur në raport) me qytetarët dhe grupet e interesit, në mënyrë që të kuptohen shqetësimet dhe nevojat e tyre – kështu bashkërendohet ekspertiza me njohurinë lokale të atyre që e jetojnë çdo ditë qytetin në dinamikën e tij. Kjo do të ndihmonte në zhvillimin e kësaj strategjie në mënyrë më të pranueshme dhe të vlefshme.

Nga ana tjetër, duhet bashkëpunim edhe nga qytetarët, të cilët duhet të kuptojnë rëndësinë e uljes së ndotjes dhe ndikimin pozitiv që ka një transport më i qëndrueshëm jo vetëm në mjedis por edhe në shëndetin e tyre. Është tepër e nevojshme që të krijohet një kulturë e re të lëvizjes në qytet, ku përdorimi i makinës nuk është domosdoshmërisht opsioni i parë. Nisur nga eksperienca në terren me ekipin e Këshillit Mjedisor të Tiranës për projektin “Rijetësimi i Lagjeve”, ndihej prezent mentaliteti i fortë i të qenit lidhur ngushtësisht me përdorimin e makinës, ku mbetet për të ardhur keq që shpesh parkimin e makinës e kemi edhe më të rëndësishëm se hapësirën publike për të luajtur fëmijët…

Iniciativa globale “Urban 95” ka një pyetje domethënëse në bazën e punës së saj: “Çfarë do të bëje ndryshe nëse do ta shihje qytetin nga një lartësi prej 95 cm?”, që është lartësia mesatare e një fëmijë të vogël. Vitet e para të jetës së një fëmije janë jetike për zhvillimin e tij dhe qytetet që promovojnë një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për fëmijët ndikojnë pozitivisht jo vetëm në zhvillimin individual, por edhe në mirëqenien afatgjatë të të gjithë komunitetit.

Në përmbyllje, sugjerimi për reduktimin e lëvizjes së makinave është një hap pozitiv për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane dhe është për t’u vlerësuar që Shqipëria më në fund po i diskuton me vëmendje këto tema e po merr parasysh faktorin mjedisor duke ndërmarrë veprime konkrete. Këto propozime i vlejnë ambientit tonë të përbashkët për ta bërë atë më të jetueshëm e të shëndetshëm, megjithatë duhët të veprojmë me kujdes drejt hapave të vegjël dhe të sigurtë. Duhet te mbështetemi në infrastrukturë dhe mundësi alternative me një angazhim të plotë dhe një qasje të mirëkordinuar, që këto ambicie të mos na kthehen në boomerang por të jenë një mundësi e mirë për të fituar besimin e mbështetjen e qytetarëve në rrugen sfiduese drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit tonë.

*Në anketën e zhvilluar nga Këshilli Mjedisor Tiranë ku morën pjesë rreth 100 persona,59% e mbështesnin si propozim, 26% nuk e mbështesnin dhe 15% nuk ishin të sigurtë.