Nga Mero Baze

Vendimet e para të presidentit Donald Trump tani po kalojnë në sitën e opozitës shqiptare në Tiranë, e cila po i komenton ato dhe duke “këshilluar” presidentin Trump se si t’i bëjë më të mira. Për shembull, deri tani opozita ka zbuluar se Donald Lu nuk është më zëvendëssekretar për çështje globale. Normalisht që nuk do të jetë, sepse ky është një post politik dhe me ndryshimin e qeverisë ai nuk mund të jetë pjesë e dy kabineteve si zëvendëssekretar shteti, por sidoqoftë PD po e mban shënim. Kanë dy ditë që janë të shqetësuar për ambasadoren Yuri Kim. Janë shumë të shqetësuar se mos ajo emërohet ambasadore e SHBA në Filipine, dhe këtë e quajnë shpërblim për shpalljen “non grata” të Berishës. Pastaj marrin John Boltonin e pyesin se a është e mundur t’i hiqet Berishës statusi “non grata”. Dhe kur ai thotë që është e mundur, por nuk ka degjuar për këtë, atëherë shënohet edhe kjo si një mundësi që Trump duhet ta përdorë.

Mediu dhe Këlliçi vrapuan të shihnin mos gjenin ndonjë ftesë për ceremoninë e inaugurimit, por nuk gjetën asgjë. Megjithatë, ditën e dytë, arritën të marrin pjesë në një ballo të organizuar në një palestër sportive. Kjo situatë qesharake, ku një parti që ka humbur çdo shpresë për fitore elektorale në Shqipëri po policon politikat dhe aktet e qeverisjes së Donald Trump, për t’i “treguar” atij se çfarë duhet të bëjë, tregon në fakt mentalitetin e vërtetë që ekziston në opozitën shqiptare dhe me çfarë shpresash jetojnë ata.

Po ta shikosh nga larg gjithë këtë aksion opozitar, duket sikur PD ka lënë mënjanë çdo arsye pse duhet të fitojë në Shqipëri, por shpreson të fitojë nëse Donald Trump përmbush premtimet që këta u kanë dhënë shqiptarëve në emër të tij.
D.m.th., këta u kanë premtuar shqiptarëve se do të heqin nga puna Yuri Kim, Donald Lu dhe po ashtu do të heqin sanksionet ndaj familjes Berisha. Kjo është baza e gjithë suksesit të tyre.

Në fakt, kjo është një betejë me gënjeshtrat që shpikin vetë. Diplomatët e karrierës në SHBA mbrohen nga ligji dhe mund të emërohen në poste të tjera ose të dalin në rezervë, por mbeten në shërbim të SHBA. Ajo që kanë në mendje opozitarët tanë është ajo që ata mendojnë se mund të bëjnë në Shqipëri nëse fitojnë, por jo ajo që ndodh në SHBA.
Dhe mbi të gjitha, presidenti Trump ka firmosur urdhra ekzekutivë aq të rëndësishëm dhe aq transformues për SHBA dhe botën, sa shqetësimi i opozitarëve tanë që ai nuk po bën ato që i rekomandojnë ata, duket qesharak. Sidoqoftë, ndoshta Trump do të reflektojë. Deri më 11 maj ka kohë!