Kompania “Blue Origin” e miliarderit Jeff Bezos këtë mëngjes shënoi një arritje historike në industrinë e lançimit të satelitëve me fluturimin e parë të suksesshëm të raketës së saj New Glenn.
Raketa u lançua nga Florida dhe e njëjta është emëruar sipas astronautit John Glenn. Shefi ekzekutiv i “Blue Origin”, Dave Limp, përmes një postimi në X bëri njoftoi suksesin e arritur.
Ndërkohë, edhe kompania “Blue Origin” përmes një postimi në X njoftoi se “New Glenn ka kaluar vijën Kármán, kufirin e njohur ndërkombëtarisht të hapësirës”. Ky fluturim i pritur me padurim shënon hapin e parë të kompanisë për të sfiduar dominimin e kompanisë SpaceX në industrinë e hapësirës.
“Konfirmohet ndërprerja e motorit në fazën e dytë. Faza e dytë dhe ngarkesa e raketës New Glenn janë tani në orbitë”, shtoi kompania.
Faza e dytë, që është pjesa e sipërme e raketës, aktivizohet pasi të ndahet faza e parë, duke vazhduar udhëtimin në hapësirë. Raketa New Glenn, e pajisur me një pjesë të ripërdorshme, u ngrit nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral, pas disa vonesave në fillim të javës.
Ambicia e miliarderit Bezos për të konkurruar me manjatin amerikan të biznesit, Elon Musk, i cili themeloi kompaninë SpaceX, mbështetet shumë në teknologjinë e ripërdorshme.
Pjesa e poshtme e raketës, e cila mund të përdoret sërish, strehon rezervuarët e karburantit dhe siguron shtytjen fillestare për ta çuar raketën në qiell. Ndryshe nga raketat tradicionale, kjo pjesë është projektuar për t’u kthyer në mënyrë të sigurt në Tokë për ripërdorim.