Deputeti i PS, Petro Koçi ka reaguar ashpër ndaj Arben Ahmetajt, duke e akuzuar atë për bashkëpunim me Sali Berishën dhe për tradhti ndaj principeve të luftës kundër korrupsionit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Koçi përdor një gjuhë të fortë për të përshkruar Ahmetajn si një “kolaboracionist” që është përfshirë në një mashtrim politik dhe që ka kaluar në anën e atyre që dikur i kundërshtonte. Ai thekson se Ahmetaj dhe Berisha janë duke luajtur një lojë të dyfishtë, ku sipas tij, Ahmetaj po përdor taktika të dyshimta për të mbrojtur interesat e tij dhe të Berishës. Koçi gjithashtu kritikon shtypin dhe median, duke e akuzuar se ka ndryshuar qëndrimin ndaj Ahmetajt, duke kaluar nga një fokusim në akuzat për korrupsion në një mbështetje të papritur, duke e paraqitur atë si një “engjëll antikorrupsioni”, një ndryshim që ai e sheh si hipokrizi.
“Arben Ahmetaj është kthyer në një kolaboracionist të Sali Berishës. Hiqen të dy si varfanjakë që luftokan luksin. Të ashtuquajturat thagma ja ka formuluar ky i fundit që në gojën zëdhënëse të ish zëvendës kryeministrit të konsiderohen të besueshme. Një i penduar politik, por jo bashkëpunëtor i drejtësisë. Thagma me fantastike që ja ka kërkuar Saliu është verëpirja dhe çmimi i kripur mijëra euro i shishkës.. Kot nuk ja ka kërkuar t’ia fuste çmimit 100 mije euro. Do pjesëtohej në me shumë pensione. Gallata me e madhe është kjo e mediave pranë Saliut të cilat sa pa u arratisur Ahmetaj e mallkonin ditë e nate si tigër korrupsioni, ndërsa tani e adhurojnë si engjëll antikorrupsioni”, shkruan Koçi, reagim ky që vjen pas intervistës së djeshme të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj në “Syri Tv”.