Reformat e planifikuara në ushtrinë ruse, përkatësisht rritja e numrit të ushtarëve për 30 për qind, paraqesin kërcënim për NATO-n dhe për këtë duhet të rritet vigjilenca. Kështu tha më 16 janar shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Finlandës, Pekka Turunen. Finlanda, që ndan kufirin më të gjatë që Bashkimi Evropian ka me Rusinë, iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s më 2023. Pas saj, edhe Suedia fqinje iu bashkua aleancës në mars 2024. Që të dy shtetet nordike bënë këtë hap në përgjigje të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Shërbimi i inteligjencës ushtarake, që udhëhiqet nga Turunen, në rishikimin vjetor të publikuar të enjten, tha se Moska ka njoftuar se planifikon të bëjë reforma në ushtrinë e saj në fund të vitit 2026.
“Po, ky është kërcënim për NATO-n, veçmas nëse ky plan zbatohet”, tha Turunen për Reuters, duke shtuar se ai mendon se Rusia ka gjasa reale që të arrijë qëllimet e saj deri në vitin 2030.
“Ne duhet të reagojmë, në kuptimin që ne na duhet të jemi më vigjilentë”.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha dhjetorin e vitit të kaluar se Moska duhet të jetë e gatshme që të luftojë me NATO-n në Evropë në dekadën e ardhshme. Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur në të njëjtin takim, deklaroi se udhëheqësit perëndimorë “thjesht po e frikësojnë popullatën e tyre se ne do të sulmojmë dikë, duke përdorur pretekstin e kërcënimit mitik rus”. Turunen tha se Rusia synon të rrisë për 30 për qind numrin e trupave të saj, që do të bënte që numri i përgjithshëm i ushtarëve të arrinte në 1.5 milion. Numri i ushtarëve rusë të vendosur në afërsi të Finlandës mund të dyfishohet apo trefishohet krahasuar me periudhën para nisjes së luftës në Ukrainë, tha Turunen.