Gjykata Penale në Shkup i liroi të enjten katër të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e vendit në vitin 2017, pasi prokuroria dhe Gjykata e Apelit kërkuan që ata të përfshiheshin në Ligjin e Amnistisë.
Ngjarja ishte cilësuar atëherë si përpjekje terroriste për rrënimin e rendit shtetëror, ndërsa katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së, sipas akuzës kishin mobilizuar persona për t’u futur me forcë në parlament dhe për të ushtruar dhunë.
Katër të akuzuarit kryesorë për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2017, ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristevski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski u lanë të lirë sot nga Gjykata Penale.
Rasti i tyre përfshihet në Ligjin e Amnistisë të miratuar në vitin 2018, ndonëse ata akuzoheshin për veprën “rrezikim terrorist ndaj rendit shtetëror”.
Procesi gjyqësor zgjati gjashtë vjet; në gjykimin e parë të vitit 2021 Trajko Veljanovski u dënua me 6 vjet e gjysmë heqje lirie dhe tre të tjerët me nga gjashtë vjet burg, por Gjykata e Apelit vitin e kaluar e ktheu rastin për rigjykim në shkallën e parë.
Gjykatësi Ilija Tërpkov tha se “shkatërrimi i Parlamentit paraqet shkatërrimin e shtetit”. “Personalisht por dhe si juri e gjykatës vlerësojmë se qëllimi i ligjvënësve me Ligjin për Amnistinë nuk ishte bërë për të falur organizatorët, por gjithnjë ka një ‘por’ dhe Prokuroria e Përgjithshme si dhe Gjykata e Apelit vendosën që tre të akuzuarit nuk kanë vepruar në kundërshti me autorizimin e tyre”, u shpreh gjykatësi Tërpkov.
“Mund të shkoni. Jeni të lirë!”- iu drejtua gjykatësi të akuzuarve, ndërsa shtoi se “shkatërrimi i parlamentit dhe rrahja e deputetëve nuk është një akt patriotizmi”. Në një mesazh për të akuzuarit tjerë gjykatësi u shpreh: “Uleni kokën dhe kërkoni falje nga shteti, siç bënë këta këtu dhe mos lejoni që dikush t’ju manipulojë”.
Katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së akuzoheshin se më 27 prill të vitit 2017 kishin organizuar hyrjen e grupeve në parlament dhe se angazhonin persona për të ushtruar dhunë. “Nga selia e VMRO-së, Janakievski dhe Ristovski vazhdimisht mobilizonin anëtarë të partisë nga Shkupi dhe qytete ë tjera për t’u futur me forcë në parlament”, sipas akuzës. Njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve theksoi se bëhej fjalë për një proces të montuar politik me qëllim të lirimit të organizatorëve të vërtetë të ngjarjeve.
“Edhe më parë, por edhe tani i bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm që të hetojë se kush janë organizatorët e vërtetë”, tha avokati Jordan Apostollski.
Megjithatë, edhe avokatët pajtohen se ligji nuk amniston organizatorët e vërtetë të ngjarjeve të dhunshme në parlament.
Grupet dhe individët e dhunshëm sulmuan fizikisht deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, teksa ky i fundit e pësoi më rëndë.
Ngjarjeve iu parapriu revolta e nxitur në parlament nga ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së, kur Talat Xhaferi i Bashkimit Demokatik për Integrim u zgjodh për kryetar të parlamentit.
Aleanca për Shqiptarët ka theksuar më parë se me ardhjen e VMRO-së në pushtet, u inkurajuan të gjitha elementet antishqiptare brenda shtetit, në gjyqësor dhe prokurori. “Falja e pjesëmarësve të kësaj ngjarjeje është vetëm inkurajim për ata që cënuan rendin kushtetues të shtetit; ushqen nacionalizmin dhe legalizon terrorizmin si formë të veprimit”, qenë shprehur para pak javësh përfaqësuesit e lartë të Aleancës për Shqiptarët.