Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” publikoi statistikat mbi vizitueshmërinë, prej të cilave rezulton se ky muze ka pasur një rritje të vizitorëve me 58% krahasuar me vitin 2023.
Gjatë vitit 2024, Muzeu i Përgjimeve u vizitua nga 77 026 persona. Rritja e vizitueshmërisë rrjedhimisht ka sjellë edhe një rritje të të ardhurave të cilat për periudhën janar-dhjetor 2024 rezultojnë 61.6% më të larta se të ardhurat e vitit 2023.
“Shtëpia me gjethe” bën të ditur se 78% e vizitorëve të vitit 2024 ishin të huaj, ku mbizotëronin italianët, anglezët dhe francezët.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve u hap më 23 maj te vitit 2017. Ai është nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit, duke qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.
E konceptuar në 9 seksione, Shtëpia me Gjethe përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë.