Edhe këtë mëngjes Kukësi vijon të jetë në temperatura të ulëta shoqëruar me era të forta, ndërsa reshjet e borës janë ndërprerë.

Të gjitha strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Kukës, janë në terren duke punuar për hapjen e rrugëve të qytetit dhe njësive administrative, si dhe po monitorojnë nga afër çdo situatë.
Ekipi i emergjencave ka bërë të mundur hapjen e disa rrugëve si: lagje e re Kukës, fshatrat Bardhoc 1 dhe Bardhoc 2, njësia administrative Tërthore, fshatrat Shishtavec dhe Novosej, njësia administrative Shishtavec, Ura Koloshit-Zapod njësia administrative Zapod, fshatrat Mustafaj, Bushat, Kolesjan, Gabrricë, njësia administrative Bicaj.

Po ashtu janë hapur të gjitha rrugët e fshatrave të njësisë administrative Shtiqën. Ndërkohë aktualisht borëpastrueset dhe fadromat janë në terren, nga ku po punohet për pastrimin e rrugëve nga bora në të gjithë njësitë e tjera administrative.
Gjatë ditës së sotme do të punohet në fshatrat e njësive Topojan, Ujmisht, Bushtricë, Gryk-Çajë e Kalisë
Ndërkohë në 20 shkolla të bashkive Kukës e Has mësimi vijon të jetë i ndërprerë.