Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka folur përmes një lidhjeje Skype për Klan News sa i takon situatës parazgjedhore e jo vetëm. Në intervistë për gazetarin Besard Jacaj, ai theksoi fillimisht se “historia që administrata publike përdoret për vota”, s’është gjë tjetër veçse alibi e opozitës.

“Është e papranueshme, absurd!”, tha Ndreu.

Më tej, ai shtoi se Shqipëria sot shihet ndryshe në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk është ajo e 10 viteve më parë, sot jemi në një tjetër stad. Duhet të takosh emigrantët se çfarë flasin për Shqipërinë e shqiptarët, ka ndryshuar qasja e botës ndaj nesh. Ne e kemi psikozën që duhet të vjellim vrer ndaj njëri-tjetrit, por Shqipëria është më pranë BE-së, samitet po bëhen në Tiranë. Gjithkush në shtëpinë e vet ka defekte, por nuk është argument kjo. Më mirë se ne nuk e bën dikush, aq më tepër ata që janë provuar. Janë futur në kaos.”