Fabio Kapelo është i lumtur teksa sheh që një trajner me eksperiencë si Klaudio Ranieri, vazhdon të lërë gjurmën e tij në futbollin e rëndësishëm. Ish-trajneri italian, ka vlerësuar kontributin që po jep Ranieri te Roma, duke ndihmuar këtë të fundit të ringrihet pas një periudhe të vështirë, me provën më të mirë që ishte derbi i fituar ndaj Lacios.

“Ranieri është një i moshuar i cili po u jep këshilla të gjithëve, dëgjohet dhe kuptohet nga lojtarët pasi prek telat e duhur, mendoj se është njeriu i duhur për të rikthyer qetësinë te skuadra, lojtarët dhe tifozët. Po tregon se kupton shumë nga futbolli dhe rezultatet janë një rrjedhojë logjike ”, tha Kapelo në një intervistë për “Radio Anch’io Sport”.

“Nuk duhet kritikuar mosha. Shumë shpesh, në këto raste, thuhet se një trajner është i mbaruar. Ishte i mbaruar Ançeloti i cili tani është te Reali dhe po fiton gjithçka, ishte i mbaruar Ranieri që po bën mirë te Roma. Eksperienca është një cilësi e rëndësishme.

Roma e ka tashmë Ançelotin e tij roman, Ranierin. Pastaj kam dyshume se ai do të bëjë drejtuesin. Nëse do të bëjë mirë, ndoshta do i propozohet zgjatja e kontratës një tjetër vit dhe me shumë mundësi do të pranojë, me një rol prej menaxheri si në kampionatin anglez, mes fushës e tavolinës. Aleks Ferguson, me ndihmën e stafit, në fund shkonte në fushën stërvitore vetëm një herë në javë dhe Ranieri mund të bëjë të njëjtën”, ishin fjalët e Kapelos.