Donald Tramp mund të thyejë rekorde për urdhërat ekzekutivë të nënshkruar në ditën e parë të Presidencës së tij. Me kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë presidencial, Tramp parashikon të nënshkruajë mbi 200 urdhëra ekzekutivë brenda 24 orëve pas betimit. Rekordin aktual e ka Xho Bajden, i cili lëshoi 9 urdhëra ekzekutivë në ditën e parë të Presidencës.
Mes urdhërave që Tramp do të nënshkruajë sot janë ato për programet e inteligjencës artificiale, formimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (Doge), zbulimi i të dhënave deri më sot sekrete për vrasjen e John F Kennedy në 1963-shin, krijimi i mburojës raketore Iron Dome dhe eliminimi i politikave të diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes nga ushtria.
Tramp u ka thënë mbështetësve në fushatë se do të ndalojë gratë transgjinore të konkurrojnë në kategoritë e sporteve femra dhe do t’ua kthente kontrollin e arsimit shteteve të Amerikës. Falja e të dënuarve të sulmit të 6 Janarit 2021 të mbështetësve të tij ndaj Kapitolit apo dëbimi masiv i miliona emigrantëve të jashtëligjshëm janë po ashtu urdhëra që pritet të nënshkruhen por që do të përballen me sfida të mëdha.
Në orët e fundit të Presidencës së tij, edhe Xho Bajden nënshkroi amnisti parandaluese për figura si Entoni Fauçi, i cili mund të hetohet për reagimin në periudhën e COVID-19, apo ish-gjenerali Mark Milley, i cili e quajti Trampin, fashist dhe të rrezikshëm.