Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas, i cili u transportua me avion nga Tirana mesditën e së premtes, ndodhet i shtruar në spitalin “Ungjillëzimi” të Athinës.
Shëndeti i Kryepeshkopit të Shqipërisë është përkeqësuar mbrëmjen e së shtunës, bëjnë me dije mediat greke, ndërsa ekipi mjekësor i spitalit, i drejtuar nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Kujdesit Intensiv, Anastasia Kotanidou, vijon monitorimin e tij.
Gjithashtu, dhe në një reagim zyrtar të Kishës Orthodhokse, thuhet se Kryepiskopi Anastas është në gjendje kritike për jetën.
‘Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, zotit Anastas.
Gjendja aktuale shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë, zotit Anastas, vlerësohet nga mjekët trajtues si kritike.
NGA ADMINISTRATA E SPITALIT “EVANGJELISMOS”, thuhet në reagimin e Kishës Orthodhokse.
Sakaq, ditën e sotme në spital ka shkuar edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili është interesuar për shëndetin e Fortlumturisë së tij. Mitsotakis thonë mediat greke u informua nga Anastasia Kotanidou, që ka monitoruar nga afër gjendjen e Kryepiskopit Anastas.
Para shtrimit në spital në spitalin Ungjillëzimi, hierarku 95-vjeçar, i cili ka një histori të komplikuar mjekësore, kishte shfaqur simptoma të virusit.
Ai u shtrua fillimisht në një spital privat në Tiranë. Megjithatë, mjekët raportuan se pas përkeqësimit të shëndetit të tij, për shkak të hemorragjisë në gastrit, u vendos transferimi i tij në Greqi për të marrë kujdesin e specializuar mjekësor.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas u shtrua në një spital në Tiranë më datën 30 dhjetor, për shkak të virozave të stinës. Megjithatë në ditët e para të vitit, u pa e nevojshme një trajtim më i specializuar për Fortlumturinë e tij, pasi shfaqi probleme të gjakderdhjes në stomak.