Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës për 2025, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, ka bërë thirrje për një qasje qytetare dhe bashkëpunuese në vitin elektoral që ka nisur. Duke iu drejtuar këshilltarëve të të gjitha forcave politike, Veliaj u ndal te rëndësia e “njerzillëkut” që lidh qytetarët e Tiranës.

“Është edhe një vit elektoral, secili do rreshtohet tek llogoret e veta, por unë kam përshtypjen që asnjëherë nuk duhet të harrojmë atë që thonë tironcit, “Njerzillëkun që na lidh të gjithëve”. Kemi qenë në fatkeqësitë e njëri-tjetrit, në gëzimet e njëri-tjetrit, kemi kaluar kohë sfiduese në këtë qytet me tërmetin, me pandeminë, ku qartazi njerzillëku ka mbizotëruar. Pra ne dimë të bashkëpunojmë, dimë të sillemi në mënyrë korrekte dhe qytetare, dhe uroj që ky të jetë vërtet një vit i mbarë në anën personale, profesionale, po sigurisht edhe një vit me një proçes elektoral, të paktën për Tiranën, siç i ka hije kryeqytetit, ku bëjmë një betejë civile dhe pastaj fitoftë më i miri”, përfundoi Veliaj.