Në mbledhjen e sotme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, ka shprehur qëndrimin e mazhorancës lidhur me propozimin e opozitës që deputetët të vetëdeklarojnë nëse kanë qenë apo jo përdorues të aplikacionit “Sky ECC”.

Çuçi tha se ky propozim duhet shqyrtuar në një grup më të gjerë pune dhe të mos bëhet retorikë apo populizëm për interesa politike të ditës.

“Doja të shprehja qëndrimin e grupit tonë parlamentar, pavarësisht nga çfarë mendoj unë se si ruhet integriteti i deputetit. Nga pikëpamja proceduriale, këtë duhet ta shqyrtojmë edhe në një grup pune sepse janë disa çështje proceduriale që duhen parë. A është kjo çështje Rregullores së Kuvendit apo jo? A duhet të merret Rregullorja vetëm me një aplikacion se janë disa të tilla? A e afekton kjo Kodin Penal apo jo? Pra, janë disa çështje që duhen shqyrtuar. Le ta shqyrtojë një grup profesionistësh këtë çështje nëse afekton apo jo Kodin Penal. Mund ta përfshijmë te formulari i vetëdeklarimit përpara kandidimit, apo mund të përfshijmë ndoshta dhe kryetarët e bashkive apo njerëzit e sistemit të drejtësisë. Unë personalisht nuk e mendoj kështu, megjithatë le ta bashkojmë me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim më gjerë këtë çështje. Mënyrën si e keni shkruar këtu propozimin nuk qëndron nga ana kushtetuese. Nuk duhet të bëjmë një ndryshim i cili cenon shumë kollaj nesër deri në Gjykatën Kushtetuese. Nëse duam vërtet një gjë që të adresojë çështjen e pastërtisë së figurës së deputetit, duhet ta bëjmë tamam, jo për populizëm”, tha Çuçi.