Edhe pse e ka emëruar shefe të PD për diasporën, duket që Sali Berisha nuk ka shumë besim te Jozefina Topalli. Në Italinë e Veriut, ku ndodhet një fetë e madhe emigrantësh shqiptarë, Berisha ka dërguar Flamur Nokën dhe katër deputetë për të tërhequr sa më shumë mbështetje.
E sic ndodh në këto raste njoftimi kthehet në triumfal apo propagandë. Në njoftimin për media të PD thuhet se ka zhvilluar një takim me shqiptarë të cilët jetojnë në zonën e Brescias në Itali.Të pranishëm në takimi ishin Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, kryetari i degës së PD-së në Elbasan, Bledi Himçi dhe deputeti demokrat Dashor Sula.
Në fjalën e tij, Noka, deklaroi se vota e diasporës ka një rëndësi kyçe për realizimin e rotacionit politik në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se vetëm përmes saj mund të nisë ndryshimi që vendi ka nevojë pas pasojave të qeverisjes së Edi Ramës.
Ndërkohë zoti Alizoti vuri theksin te domosdoshmëria e regjistrimit të emigrantëve shqiptarë, proces që përfundon më 4 mars.
Deputeti demokrat Dashnor Sula theksoi se vota e diasporës është bërë një shqetësim i madh për kryeministrin Edi Rama, pasi shqiptarët jashtë vendit janë të pavarur nga presioni apo manipulimi i qeverisë.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan votën e diasporës si një faktor historik për zgjedhjet e 11 majit, duke e vlerësuar atë si vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë.