Zyrtarisht, faza e parë e formatit të ri të Ligës së Kampionëve ka mbaruar dhe tani do të kalojmë në raundin me eliminim direkt. Megjithatë, para kësaj, duhet të përcaktohen të kualifikuarit e tjerë në 1/8 finale, të cilët do të kalojnë përmes “play off”it paraprak.
Pas xhiros së fundit me orare të njëjta ndeshjesh emocionuese, ku u luajtën 18 ndeshje njëkohësisht, me shumë çështje për t’u vendosur, vjen koha për të bërë disa bilance. Cilët ishin yjet e këtij segmenti të parë të garës? Po të dështuarit? Le t’i zbulojmë.
Hansi Flick dhe Raphinha, liderët e ‘Barçës së re’ në Europë
Nëse Liverpool-i na ka dhuruar një fazë të parë të shkëlqyer, Barça nuk ka mbetur pas. Dallohen dy protagonistë të saj mbi të tjerët, Hansi Flick dhe Raphinha, me një përmendje nderi për Robert Lewandowski, golashënuesin më të mirë të edicionit të tanishëm, me 9 gola.
Trajneri gjerman ka filluar ta shërojë traumën europiane, që e ka rënduar kaq shumë Barçën në vitet e fundit, duke luajtur Ligën e Europës gjatë dy sezonesh të njëpasnjëshme, 2021-22 dhe 2022-23, me përfundime shumë të pakëndshme.
Me Flick në stol, Barça ka përmirësuar lojën e saj, është më dinamike dhe më e mprehtë. Në fakt, më e rëndësishmja është se ka rikuperuar autoritetin e saj në Europë. Lojtarët kanë një tjetër qëndrim në garat europiane, janë më të sigurt dhe vërtet konkurues. Kjo mund të shpjegohet përmes punës së gjermanit.
Barça e mbylli fazën e ligës në vendin e dytë me 7 fitore, një barazim dhe një humbje. Humbja e vetme daton në debutimin e saj ndaj Monaco, humbje minimale dhe e shoqëruar me përjashtimin e hershëm të Eric Garcia. Po kështu, Barcelona është ekipi që ka shënuar më shumë gola në këtë fazë të Champions-it (28 gola).
Pa dyshim, surpriza e madhe ka qenë Raphinha. Duket se ai do ta linte klubin katalanas gjatë verës, por është bërë një nga liderët e këtij ekipi. 8 gola dhe 4 asistime në 8 ndeshje janë bilanci i tij në Ligën e Kampionëve. Futbollist që me Flick është bërë një nga më të mirët në botë në pozicionin e tij.
Makina e Slot është (gati) e pamposhtur
Puna nuk ka qenë aspak e lehtë për Arne Slot, që ka arritur në “Anfield” me misionin për të zëvendësuar një legjendë të Liverpool-it si Jürgen Klopp. Megjithatë, ai ka arritur menjëherë të ketë sukses. Lider në Premier League dhe i pari në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Vetëm humbja në xhiron e fundit kundër PSV Eindhoven (me një skuadër të mbushur me rezervistë) ka “njollosur” një fazë grupi pothuajse të përsosur: 8 ndeshje, 7 fitore dhe një humbje.
Lille, krenaria e Francës
Askush nuk e kishte besuar këtë para fillimit të këtij Champions-i të ri, por PSG nuk ka qenë ekipi më i mirë francez në fazën e grupeve. Ky ka qenë Lille, i cili, me vendin e shtatë ka kaluar direkt në 1/8 finale, ndërkohë që Monaco, Brest dhe PSG do të përpiqen të kualifikohen përmes “play-off”. Faza e grupit e skuadrës së drejtuar nga Bruno Génésio ka qenë thjesht spektakolare.
“Muri” i pakalueshëm i Inzaghit
Projekti i Interit është serioz. Që nga finalja që humbi kundër City në Turqi, në edicionin e sezonit 2022-23, ekipi zikaltër beson se mund ta fitojë Ligën e Kampionëve të katërt në histori. Çdo vit që kalon, Simone Inzaghi ka një skuadër më të mirë, që dallohet për qëndrueshmërinë e saj. Nga 8 ndeshjet e grupit, zikaltrit nuk kanë pësuar gol në 7 prej tyre, çka dëshmon se janë “mur” i pakalueshëm.
Julián Álvarez nuk mund të ndaleh nga golat
Faza e grupit të Atlético Madridit ka qenë e mirë (u kualifikua direkt në 1/8 finale, e renditur në vendin e pestë), por ajo e Julián Álvarez ka qenë më e mirë. Transferimi i mrekullueshëm i verës së kaluar për Atletico Madridin ka shfaqur versionin më të mirë të tij në një Champions që filloi vërtet keq. Tani po konsolidohet si një lojtar kyç për ekipin, që më në fund po funksionon.
Të dështuarit e mëdhenj të fazës së grupeve
Manchester City, vetëm një hap larg katastrofës. Skuadra e Pep Guardiolës ishte duke luftuar për të shmangur tupërimin përballë Club Brugge, që ia bëri shumë të vështirë në “Etihad”. Përfundimisht, City fitoi një ndeshje që e nisi me humbje dhe kaloi në “play-off” për të siguruar biletën e 1/8 finale. Megjithatë, faza e grupit, ku përfundoi në vendin e 22-të, ka qenë për t’u harruar.
PSG, një dramë që fillon nga porta. Skuadra e Luis Enrique shpëtoi nga drama e plotë e eliminimit duke mposhtur Stuttgartin në Gjermani (1-4), por mbetja shumë larg nga “top 8” (u rendit i 16-ti) është i papranueshëm për një ekip me potencialin e tij ekonomik. Në një edicion tjetër të Ligës së Kampionëve, PSG tregon se problemi i tij fillon nga porta.
Ancelotti dhe Real Madrid, të kryqëzuar. Ta përfundosh fazën e parë të Ligës së Kampionëve në vendin e 11-të është dështim për një ekip që vazhdimisht krenohet me 15 Champions. Real Madridi i Carlo Ancelottit ka luajtur me zjarrin gjatë fazës së grupeve, duke përfunduar me 3 humbje dhe pasur nevojë për “play-off”, që të kualifikohet në 1/8 finale.
Bayern Munich, një dështim i madh. Që Bayern Munich të mos ndodhej në “top 8” është një tjetër dështim i madh. Ekipi i Vincent Kompany, i mbushur me yje, ka ulur disa shkallë të konkurrencës në Europë dhe ka pasur vetëm mundësi të përballet me skuadra më të dobëta.