Volodymyr Zelensky do ta dëshironte pjesëmarrjen në ceremoninë e betimit të presidentit amerikan Donald Trump më 20 janar, por vetëm nëse merr ftesë nga republikani.
“Do të doja të merrja pjesë. Sigurisht, duhet të shikoj dhe situatën tani sepse ka momente të vështira, në përshkallëzim, shumë raketa. Por, unë nuk mund të shkoj veçanërisht në kohë lufte, nëse Presidenti Trump nuk më fton drejtpërdrejtë. Thjesht nuk është mirë, sepse e di që liderët në përgjithësi nuk janë të ftuar në inaugurimin e presidentëve të SHBA-së. E di që ka liderë që mund të vijnë vetë, nëse duan, dhe do ta bëjnë. Për mua është shumë e vështirë, jam ai lloj personi që nuk mund të vizitoj pa ftesë”, është shprehur ai.
Zelensky u shpreh po ashtu se çdo garanci sigurie për shtetin e tij në mënyrë që t’i jepet fund luftës me Rusinë do të kishte kuptim vetëm nëse ajo do të jepej nga SHBA-ja. “Unë nuk dua të shqetësoj askënd dhe t’i bëj probleme dikujt. Nëse ai më font, do të shkoj, sigurisht bashkë me gruan time, mendoj se është e rëndësishme”, pohon në fund te mesazhit kreu i shtetit ukrainas. Zelensky ka një histori të gjatë dhe të vështirë me Trumpin.
Gjykimi i parë ndaj Trumpit për shkarkimin e tij nga posti i presidentit më 2019 u nxit nga një bisedë telefonike që ai kishte zhvilluar me Zelenskyn, në të cilin Trump dukej se kishte kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane në këmbim të hetimit nga Ukraina të familjes së Bidenit.
Trump disa herë e ka kritikuar Zelenksyn e gjatë fushatës zgjedhore, ai vazhdimisht e ka përshkruar presidentin ukrainas si “tregtarin më të mirë në botë” – referencë kjo për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë që ligjvënësit e dy partive në SHBA kanë miratuar që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.