Humbjet e Koresë së Veriut në luftën e Rusisë kundër Ukrainës tashmë arrijnë në 4000 ushtarë, tha Volodymyr Zelensky në hapjen e takimit të 25-të të Grupit të Kontaktit për çështjet e mbrojtjes së Ukrainës në bazën Ramstein të Gjermanisë.

Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar hap një “kapitull të ri” për evropianët, të cilët duhet “të bashkëpunojnë edhe më shumë”, duke siguruar se ai e sheh atë si “një periudhë mundësie”.

“Është e qartë se një kapitull i ri po hapet për Evropën dhe gjithë botën, në vetëm 11 ditë, një kohë kur ne duhet të punojmë së bashku edhe më shumë, të mbështetemi edhe më shumë tek njëri-tjetri dhe të arrijmë rezultate edhe më të rëndësishme”, tha Volodymyr Zelensky nga baza ushtarake Ramstein në Gjermani ku po mbahet konferenca e aleatëve të Ukrainës.

Vendosja e forcave ushtarake perëndimore në Ukrainë do të kontribuojë në “shtyrjen e Rusisë drejt paqes” , tha presidenti ukrainas

“Dislokimi i forcave ushtarake aleate është një nga mjetet më të mira për të bërë presion ndaj Rusisë drejt paqes”, tha ai. “Le të jemi më praktikë në zbatimin e tij”.

Lejimi i prodhimit të sistemeve anti-ajrore amerikane në Ukrainë mund të jetë një pjesë e rëndësishme e garancive të sigurisë për Ukrainën, tha presidenti ukrainas. “Dhe është absolutisht e mundur.”.