Zemërim ndërkombëtar ka shkaktuar Elon Musk për gjestin e kryer gjatë fjalimit të inagurimit të Trump, ku përshëndeti të pranishmit në sallë dhe falenderoi mbështetësit me një ngritje të dorës, e cila u interpretua nga ekspertët si një përshëndetje naziste. Ky incident ka ngritur shqetësime për lidhjet e Musk me partitë e ekstremit të djathtë dhe ka shkaktuar zemërim dhe protesta në Itali.

Studentët në Milano, pjesë e një grupimi të majtë me ideologji komuniste, të njohur si “Cambiare Rotta”, i kanë dalë kundër qëndrimeve të Musk, duke organizuar një tubim në Piazzale Loreto, vendin ku Benito Mussolini u var në vitin 1945.
Protestuesit, varën kokposhtë një manikin me fytyrën e Musk, ku shkruanin: “Ka gjithmonë vend në Piazzale Loreto, Elon”.

Musk ka shkaktuar polemika të shumta në Evropë për mbështetjen e dhënë ndaj partive të ekstrimit të djathtë që kur bleu Twitter dhe e riemëroi atë në “X”. Ai ka mbështetur publikisht partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), dhe ka bërë thirrje për lirimin e aktivistëve të njohur për qëndrimet e tyre anti-imigracion dhe anti-mysliman.

Megjithatë, një pjesë e madhe e mediave dhe individëve kanë mbrojtur Musk. Lidhja Anti-Shpifje, një organizatë që lufton antisemitizmin, tha se gjesti i Musk ishte thjesht një moment i sikletshëm dhe jo një përshëndetje naziste. Vetë Musk reagoi në platformën “X” duke i quajtur akuzat si “mashtrime”. Ai shtoi se ata që e krahasuan gjestin me një përshëndetje naziste po përdornin një “taktikë të vjetër” për ta sulmuar.