Tashmë është e sigurt: Ole Gunnar Solskjaer do të jetë trajner i Beshiktashit në Turqi.

Klubi nga Stambolli nuk ka humbur kohë për të shpërndarë në rrjetet sociale paralajmërimet për atë që do të drejtojë ekipin ku aktivizohen Rashica dhe Muçi.

Ole Gunnar Solskjaer ndodhet në Stamboll dhe është fotografuar në zyrat e klubit turk, me shallin bardhezi në dorë, duke dhënë deklaratat e tij të para si trajneri i ri, pas largimit të trajnerit të përkohshëm, Serdar Topraktepe.

“Mezi pres të filloj. Ishte shumë bukur të takoje njerëzit e klubit, të shihja të gjithë duke buzëqeshur. E ndiej mikpritjen e tyre.

Pres me padurim të të nis këtë aventurë. Është një sfidë e madhe. Ky është një klub fantastik, me shumë histori dhe krenari.

Projekti që diskutuam me presidentin më intereson shumë, sepse për mua kjo është një qasje shumë pozitive ndaj futbollit.

Diskutuam me anëtarët e bordit drejtues; këtu tifozët janë shumë të rëndësishëm për klubin dhe janë jashtëzakonisht pasionantë.”