Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxa, ka reaguar për herë të parë mbi aludimet lidhur me shumta e supozuara për blerje online nga ana e saj. Në një sqarim të detajuar, ajo ka hedhur poshtë si gënjeshtra të pavërteta gjithçka është thënë në media mbi këtë çështje. Xoxa tha se është vënë në shënjestër të një “gjyqi politik, mediatik dhe në rrjetet sociale”, pa një proces të drejtë ligjor.
Ajo thekson se ka mësuar për shifrën e përfolur nga mediat, njësoj si publiku, ndërsa akt-akuzën e ka marrë në dorë vetëm pasi akuzat ndaj saj ishin tashmë publike. Xoxa premton se do ta përballë deri në Gjykatën e Strasburgut për të provuar pafajësinë e saj të plotë.
Duke sqaruar shifrat reale, ajo thekson se ekspertët kontabël kanë analizuar të gjitha transaksionet e saj online në 10 vitet e fundit, dhe totali i shpenzimeve për veshje, produkte kozmetike dhe aksesorë rezulton 75,025 euro. Një shifër shumë larg aludimeve të shumës 800 mijë euro, kryesisht e publikuar nga mediat e opozitës dhe të furnizuara nga Sali Berisha.
“E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu. Në seancën e të martës, datë 11 shkurt, në GJKKO, unë deklarova se shifra ishte lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë. Pastaj, që prej të mërkurës, ekspertët kontabël kanë kaluar në një sitë shumë të imët çdo llogari timen bankare dhe kanë nxjerrë nda deklaratat e llogarive bankare çdo blerje online të 10 viteve të fundit (1.1.2015 – 1.1.2025).
Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025).
E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustane dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale (dhe këtë gjithashtu do ta detajoj imtësisht shumë shpejt). Unë nuk njoh zbavitje tjetër përveç punës sime”, shkruan Xoxa.