Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi shprehet se prokurorët të cilët ka ngritur akuzat ndaj Erion Veliajt janë në konflikt të hapur interesi. Duke folur për Klan News, Dalipi solli në vëmendje ngjarjen e 21 janarit ku humbën jetën 4 protestues të pafajshëm në mes të Bulevardit, dhe të njëjtët prokurorë nuk e zbardhën si ngjarje.
“Kur persona të caktuar janë në konflikt interesi dhe nxitojnë për çështje të tilla dhe nuk nxitojnë për çështjen e 21 Janarit apo çështje të tjera atëherë kemi disa çështje që duhen të shihen nga legjislativi. Patjetër që është vepër penale që dokumentet nuk i ka në dorë i akuzuari dhe i kanë të tjerë në media”, thekson Dalipi.
Dalipi nënvizon se Veliaj është një zyrtar i shkëlqyer që respekton rregullat dhe ligjin dhe se arrestimi i tij është një situatë e paprecedentë.
“Tirana fal punës dhe kontributit të tij ka ndryshuar dhe unë e kam për nder që kam qenë krah tij dhe mendoj që ka dhënë shumë për Tiranën”, tha Dalipi.