Agron Shehaj dhe Andi Bushati kanë debatuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për hetimet e SPAK ndaj Veliajt.

Bushati e ka cilësuar dosjen të dobët dhe ka deklaruar se nuk evidentohen raste korrupsioni konkrete dhe se nuk preken financime nga inceneratorët drejt entiteteve të lidhura me Ajola Xoxën.

Ndërsa Shehaj deklaroi se të gjitha rastet e evidentuara si marrje parash nga biznesmenët janë në fakt korrupsion.

Andi Bushati: Nga pafundësisht lejet e ndërtimit dhe tenderat publikë që përmenden, për kë thotë SPAK që është korruptiv apo abuziv?

Agron Shehaj: Në të gjitha rastet ku kanë kaluar paratë, janë raste korruptive ato, këtë pretendon SPAK. Kush ka marrë leje dhe tender, më pas i ka kaluar paratë Veliajt apo bashkëshortes. Mendoj se është e papërfillshme beteja jote në lidhje me detajet e dosjes. Në krahasim me atë që ka ndodhur është e papërfillshme. Ne e shohim nga këndvështrimi politik dhe themi inceneratori nuk ekziston, mbi 100 milion euro, kjo është çështja, por nuk funksionon kështu. Ato të mëdhat i kanë qepur dhe qëndisur.

Andi Bushati: Janë intelektuale këto? Dakord.

Agron Shehaj: Drejtësia nuk është gallatë, është punë, duhet vërtetuar abuzimi. Nëse paratë e inceneratorit shkojnë offshore, edhe perëndia të jesh, vete atje dhe nuk e merr vesh kompaninë. Për ne është e lehtë të bëjmë gjyqin, nuk jemi të kënaqur që më në fund në Shqipëri, arestohet numri dy në pushtet, jo ne duam të kapet për atë që duam ne. Harrojmë presionet dhe kushtet, jemi në Shqipëri. Bandat, kërcënimet. Ne e pamë, nuk e dimë çfarë ka ndodhur në prapaskenë këto muaj që janë bërë hetime, ne e pamë vetëm në një ditë, i dërguan administratën, kërcënoi Rama gjithë ditën, ju hoqën dritat si në vitet 90’, imagjino të jesh prokuror dhe gjykatës.

Andi Bushati: Po deshe vota, vazhdo, po përdorëm gjëra emocionale…

Agron Shehaj: Këto janë fakte. Është e lehtë këtu, por vendosu në vend të prokurorit. Shumë prej tyre kanë fëmijët jashtë. Ne jetojmë në Shqipëri, një shkrim bën dhe të vërsulen. Një denoncim bën dhe fillojnë me libër shtëpie. Imagjino t’i vësh prangat numrit dy të pushtetit.

Andi Bushati: Unë gjykohem për shkrimin që bëj dhe jo të matur për kërcënimin. Dakord, numri dy i PS në burg, sukses. A mund të debatojmë tani? Dini gjë a kanë financuar inceneratorët shoqatat e Ajolës? Pse nuk janë? Sepse duhet mbyllur inceneratori. Unë në pjesën e parë thashë, kam qenë kritik me mënyrën si SPAK ka hartuar dosjen Berisha për klubin Partizani, por dosja Berisha është shumë më e kopsitur se dosja Veliaj. SPAK nuk thotë vetëm që Berisha ka hartuar ligje dhe dhëndri përfitoi, por është futur më thellë. Berisha jo vetëm ka hartuar ligje, por pushoi gjeneralin, çoi dhe njeri të ushtrojë presion që klubi të dorëzohej te ish pronarët. Krimin e Saliut nuk e ka lidhur vetëm me dhëndrin, por aktet konkrete që ka bërë Saliu.

Klodiana Lala: E njëjta gjë është në këtë dosje.

Pano Soko: E njëjta gjë është, ti nuk e ke lexuar. Se thotë ku ka vajtur, çfarë ka shkruar në mesazh, si ia ka sjellë…

Andi Bushati: Je i pavërtetë me faktet.

Agron Shehaj: Nëse dikush është kryetar bashkie dhe jep leje. Atij që i ka dhënë leje i merr vlerë të caktuar, ky është korrupsion, nuk ka nevojë të shkelet ligji në dhënien e lejes. Ti po thua ku është shkelja? U gjetën paratë. Kjo është diferenca.

Andi Bushati: Çfarë do ndodhte në rastin kur Ajola del dhe thotë, që ia kam kërkuar unë lekët? Por është korrupsion i Ajolës jo i Erionit.