Kur ka mbetur më pak se një jave nga diskutimi në parlament, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i ka kërkuar kuvendit një tjetër ndryshim në kodin zgjedhor.

Kësaj rradhe bëhet fjalë për ankimet që shtetasit nga jashtë mund të bëjnë në rast se nuk do të kenë emrin në listat e zgjedhësve apo regjistrimi i tyre do ketë pasaktësi. Ata do të mund ti drejtohen gjykatës me kërkesë 30 ditë përpara zgjedhjeve nga 7 ditë është aktualisht. Për lehtësi kërkesa do të behet online.

“Propozoj që kërkesa për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të paraqitet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe online nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.“, tha Celibashi.

Gjykata do duhet të shqyrtojë dhe të vendosë mbi kërkesën brenda 48 orëve nga regjistrimi i saj nëpërmjet platformës online. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky ndryshim do t’i siguronte zgjedhësve nga jashtë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës nëpërmjet një procesi te thjeshtë dhe pa u penguar nga distanca gjeografike dhe kohore.

Mbetet për tu parë cili do të jetë qëndrimi i palëve në seancën e 13 shkurtit atëherë kur do të diskutohen edhe tre amendamentet e tjera, pagesa e plote e postës për fletët e votimit, komisioneret politike për numërimin e votës së diasporës dhe afrimi i afatit për dorëzimin e listës së kandidatëve.