Prej disa ditësh, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, po përgatit terrenin për zgjedhjet e ardhshme, duke siguruar mbështetje nëpërmjet Shoqatave Rajonale. Gjatë kësaj jave po zhvillohen Asambletë e Shoqatave Rajonale, ku janë rizgjedhur të njëjtët persona në krye, të cilët do të kenë të drejtë vote në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.

Në Shoqatën Rajonale të Gjirokastrës, në krye u konfirmua Sadik Sadikaj, i cili do të përfaqësojë këtë shoqatë në Asamblenë e Përgjithshme. Në Shoqatën e Arbitrave Shqiptarë të Futbollit (BASHF), kryetar mbeti sërish Bashkim Kastrati. Ndërsa në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Durrësit, delegatët e zgjedhur për të përfaqësuar këtë shoqatë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së janë Mikel Furxhi, Juljan Godime dhe Enid Furxhi.
E njëjta skemë pritet të ndiqet edhe në Asambletë e tjera rajonale, ku besnikët e Armando Dukës do të vendosen në pozicione kyçe për të siguruar votat e nevojshme në zgjedhjet për kreun e FSHF-së.