Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa do të zhvillohet të mërkurën në orën 8:30.
Gjykata e Posaçme njoftoi se procedimi ndaj Veliajt dhe të tjerëve ka nisur në vitin 2024. SPAK e akuzon Veliajn për “korrupsion” në 9 raste dhe për “pastrim të parave”.
“Duke pasur parasysh interesin që ka në media dhe në publik procedimi penal nr. 27, i vitit 2024, regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të personave nën hetim Erjon Veliaj, etj…, ju njoftojmë se seanca e marrjes në pyetje për personat nën hetim Erjon Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkelqim Fusha për të verifikuar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit është caktuar me datë 12.02.2025, ora 08:30”, bën me dije GJKKO.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestuar këtë të hënë me kërkesë të SPAK.
Agjentët e BKH që mbërritën në ambientet e bashkisë Tiranë dhe i komunikuan masën e sigurisë kryebashkiakut. Më pas Veliaj u shoqërua drejt Bllokut të Sigurisë, 302, në rrugën “Mine Peza”.