E ndërsa pritej një reagim ditën e sotme, kryeministri Edi Rama do të flasë nesër për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Shefi i mazhorancës ka lënë të nënkuptojë se do të reagojë për arrestimin e Veliajt në rubrikën e tij të “Sy më sy” në rrjetet sociale.
Ndërkohë, ditën e sotme Rama mblodhi Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj me urdhër të SPAK.
Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj përplasi sot në Kuvend mazhorancën dhe opozitën.
Sali Berisha kërkoi në seancë kryeministrin Rama, duke e ftuar të japë dorëheqjen.
“Iku nga Shkodra. Ku është mo, ku është Edi Rama? Ka vetëm një zgjidhje sot para shqiptarëve, largimin e Edi Ramës, dorëheqjen e tij të menjëhershme”, u shpreh kryedemokrati Berisha.
Përmes arrestimit të Veliajt, Berisha tha se SPAK-u po mbron Kryeministrin Rama.
Në kundërpërgjigje, Ministri për Parlamentin nuk komentoi vendimin e GJKKO-së, por e ftoi Berishën të bëjë kallëzim në SPAK për akuzat e ngritura në adresë të Ramës.
“Gjeni një rast kur ky krah i sallës të jetë shprehur apo të ketë bërë komente mbi veprimet e drejtësisë. Asnjëherë. Kemi bërë komente kur drejtësia ka thënë verdiktin përfundimtar. The një lumë gënjeshtrash? Po. Merri nesër dhe bëj një kallëzim në SPAK”, tha Balla.
Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK për 4 akuza dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë ‘arrest me burg’, deri në momentin që ai do të dalë para GJKKO-së për t’u njohur me masën e sigurisë.