Dosja e arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj ishte temë e debatit dhe analizës në “Studio Live” ditën e sotme. Të ftuar në Report TV ishin ish-kreu i PD-së së Kukësit, politikani Ibsen Elezi dhe gazetari Anri Bala.
Të pyetur nga moderatori Arbër Hitaj, të dy shprehën opinione rreth procedurës së hetimit nga ana e SPAK, sulmet nga politika, standardet e ndjekura dhe nëse kishte pika të errëta në këtë hetim që po kontestohet edhe me disa detaje që kanë të bëjnë me gabime teknike apo deri dhe juridike.
Për Elezin struktura e SPAK duhet mbështetut në punën e saj, edhe pse pranoi se mund të ketë edhe gabime. Kurse Bala kërkoi që kryeministri Edi Rama, ashtu sikurse deklaroi, ta thërrasë kreun e ILD dhe të sqarojë publikisht në parlament se si u bë Olsi Dado nga notër në prokuror, duke kaluar më tej edhe Vettingun, në shkelje të ligjit.
Bala ndau edhe një detaj nga seanca e masës së sigurisë, ku gjyqtari Erion Bani i drejtohej herë pas here kreut të SPAK, Altin Dumani, me fjalët “o shef” dhe i kërkonte mendime se si të vepronin me procedurat në disa raste.
“Nga momenti i parë i arrestimit të Veliajt dhe ato që ka deklaruar Rama më parë, ka qenë një frymë mosbesimi dhe ka dashur të paraqesë faktin se si struktura kushtetuese po kalon kompetencat e veta dhe po tenton ta kthejë në shtet prokurorësh dhe zoti Rama e kupton se e ul elektoralisht kjo kundërvënie. Kuptohet që ai nuk e do SPAK, sepse po ta shohësh ka shumë eksponentë të akuzuar në PS. Por ai ka një taktikë dhe strategji tjetër, dhe t’i dalësh kundër SAK publikisht çon në ulje të imazhit apo mbështetjes në publik. Ndaj edhe ai e kupton dhe ka gjetur këtë strategji, ndryshe nga Berisha, i cili është edhe objekt i SPAK. E ka qëndrim taktik të vetë për të mos iu kundërvënë SPAK, sepse mund të ketë rënie elektorale. Kush i kundërvihet SPAK, nuk aspiron për të qenë mazhorancë, pasi është një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar, 70% e qytetarëve që e mbështesin. Opinioni publik dhe shumë analistë e kanë parë në skepticizëm, në kuptimin që SPAK nuk është më strukturë që kontrollohet. E të thuash se kontrollohet, e merr urdhra, kjo është e pabesueshme”, shprehet Elezi.
Politikani i djathtë thekson se deri tani është goditur vetëm maja e ajsbergut, sepse SPAK ka vështirësi të shkojë më thellë, sepse nuk e bën dot.
“SPAK ndaj u ngrit si strukturë e posaçme, ngaqë ato të parat nuk e bënin dot këtë punë. Unë nuk mund të them sa janë respektuar këto standarde, rregulla dhe ato mund të shkelen, ka dhe raste të veçanta. Pamundësia e SPAK tregon se këta janë më të fortë se ajo dhe e ka të pamundur, se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Kjo është barrë e rëndë për SPAK, se ata sakrifikojnë veten dhe familjen, duhet të flitet me rezerva. Grup i madh njerëzish që përballen me krim ekonomik dhe korrupsion. Nëse SPAK do godiste bankat e nivelit të dytë, atëherë do kishte një kolaps ekonomik që SPAK nuk e zgjidh dot. Edhe DASH bëri deklaratë për pastrimin e parave, për goditjen e korrupsionit dhe ky është niveli i lartë, ku dhe SPAK ka vështirësi të ndërhyjë”, vijon ai.
Në lidhje me hetimet që po bëhen për dosjen Veliaj, berisha apo Meta, Elezi shpjegon se askush nuk e di sasinë e informacionit që SPAK ka, por shihet qartë se Prokuroria po i trajton si persona me rrezikshmëri të lartë dhe strukturë kriminale.
“Se si arrin SPAK aty në nuk e dimë sasinë e informacionit që kanë ata. Ndoshta ata kanë informacion se cenohet hetimi apo drejtpërdrejtë. SPAK po i konsideron me rrezikshmëri, si persona të grupit të strukturuar kriminal. Unë mund të jem dakord se ka tejkalim kompetencash, mund të ketë gabime, por beteja e SPAK është një luftë që është domosdoshmëri, lufta e të mirës ndaj të keqes”, shprehet ai për Report TV.
Kurse gazetari Anri Bala ndaj mendim tjetër, duke hedhur dyshime të forta te standardet e SPAK dhe veçanërisht dyshja prokuror-gjyqtar.
“Debati i fundit ka të bëjë me standardet që SPAK po përdor, drejtësia speciale apo e posaçme dhe nuk diskutohet nëse do ekzistojë apo jo. Rama nuk e ka sulmuar si institucion, por Rama pretendon se është arrestuar në zyrë, është rast i vetëm, të tjerat kanë qenë me dorëheqje dhe më pas me hetim, me dijeni edhe të Ramës për këtë dorëheqje të zyrtarëve të lartë, pasi do kishte një hetim. Pra rasti Veliajt është me standard tjetër. Unë nuk merrem me emra të veçantë për arrestime apo hetime. Por duket se u desh Prokuroria Speciale për të goditur krimin e organizuar, që deri dje ishte i paprekur”, thotë gazetari.
Ai vë në dukje edhe faktin se përse kryeministri nuk e thërret në Parlament kreun e ILD të shpjegojë publikisht nëse prokurori apo gjyqtari janë në rregull me kriteret e përzgjedhjes në detyra.
“Pse nuk e ka thirrur zoti Rama kreun e ILD-së, Artur Metanin në Parlament. Ta pyesi për prokurorin se si e ka kaluar Vettingun zotëria. Kemi thënë se s’ka magjistraturën, por tani nuk kemi një sqarim. Ai bën deklaratën se është në shkelje të ligjit dhe më tej nuk e ndjek, të kërkojë që të jepen shpjegime për këtë rast. Vërtetë nuk ka pasur kriter që me vakancat nuk duhej Magjistratura, por ama ai ka shkelur ligjin se nga Noter në Prokuror nuk duhet të bëhej. Pra kush e ka bërë ligjin, si u shkel, si e kaloi ai? Duhet sqaruar kjo. Si e ka kaluar Vetingun Olsi Dado, kjo është çështja. Edhe te pallati që ka marrë leje zotëria, kur është kërkuar dhe refuzuar, në një firmë tjetër ndërtimi nuk ka qenë përfitues i pronës, te kompania tjetër aty ka qenë fitues. Veliaj pretendon se ky zotëria është palë, ka konflikt interesi. Ka konflikt interesi edhe me profesionin, kriteret, noter-prokuror. Unë jam për t’u verifikuar të gjithë nëse ka shkelje kriteresh, nuk e kam me zotin Dado, se ndoshta janë të gjithë si ai, ose nuk ka asnjë, por duhet të sqarohet”, shpjegon ai.
Më tej kujton se Prokuroria në asnjë rast nuk ka shpjeguar se ku qëndron krimi ekonomik apo evazioni që ka shkaktuar Veliaj dhe sa është ky dëm.
“Prokuroria nuk e ka përfshirë se ku është evazioni i Veliajt. Ku është dëmi ekonomik që kryebashkiaku i ka shkaktuar Bashkisë me lejet e ndërtimit? Ose për rastin e vilës së pretenduar në Qerret të të ndjerit Arben Xoxa, pronave të tjera apo dhe fustaneve. SPAK nuk ka sqaruar as çështjen e fustaneve, por kanë luajtur me ndjesinë qytetare, apo për të justifikuar arrestimin, duke thënë ka bërë blerje 800 mijë euro. Ato janë rekuizitë të përdorura për reklama apo filma dhe nuk hidhen, mbahen aty se do përdoren përsëri. Këta ia kanë vendosur në pronësi Ajolës! Pra nuk mund t’ia vendosësh në këtë mënyrë. Po Berishën pse s’e more Berishën apo Metën kur prishte provat, pra të arrestoheshin që në fillim. Ka raste të shumta kur masat janë të gabuara, rrëzohen më pas, prokurori mban përgjegjësi. Shifra ku nga 200 mijë lekë i bëjnë 2 milionë. Ka edhe hetime fiasko si rasti i 32 arrestimeve të mëparshme që u rrëzuan si të paligjshme. Ose rasti i deklarimit të detajit i dënuar në dosje, kur ky zotëria është objekt dekriminalizimi (Veliaj), ku ai e deklaron i padënuar, kurse ti nuk e verifikon. Si e vendos ashtu në dosje?”, thotë gazetari në lidhje me dyshimet e procesit të hetimit nga SPAK.
Bala rrëfeu edhe një detaj të veçantë nga seanca e masës së sigurisë ndaj Veliajt dhe të tjerëve, ku gjyqtari Erjon Bani i drejtohej Altin Dumanit me titullin “shef” dhe i kërkonte sugjerime se si të vepronte.
“Në lidhje me gjyqtarin, se nuk mund të merrem me të, por ka detaj nga seanca ku gjyqtari i thoshte Dumanit “o shef, o shef”. Pse duhet të jetë ky komunikim, ku i drejtohet ashtu gjyqtari prokurorit. Ose fakti se prokuror dhe gjyqtar dalin nga një derë në institucion. Ashtu bëjnë të gjitha atje, por nuk duhet të jetë ashtu”, përmbylli Bala fjalën e tij për këtë çështje./REPORT TV