Tashmë nuk ka më dyshime. Mario Mitaj do të jetë përfundimisht lojtar i Al Itihadit, dhe klubi saudit ka arritur akordin me Lokomotivën e Moskës. Kështu informojnë mediat ruse dhe ato në Arabinë Saudite, të cilat japin edhe hollësi për marrëveshjen.

Gazetari Vanja Karpov informon se Al Itihad dhe Lokomotiva kanë fiksuar çmimin e kartonit 5.5 milionë euro, nga të cilat 1.2 milionë janë dhënë për huazimin, dhe 4.3 milionë do të paguhen për ta bërë lojtarin plotësisht të klubit nga Riadi.

Fillimisht, mediat ruse shkruan se Al Itihad e aktivizoi klauzolën në kontratën e huazimit për të blerë kartonin e yllit kuqezi, ndonëse ato dhanë një shifër pak më të lartë, 6 milionë euro. Gjithsesi, kjo është më shumë sesa diskutohej në momentin kur Mitaj kaloi në ligën profesioniste saudite në 2 shtator të vitit të kaluar.

Futbollisti I kombëtares shqiptare bindi plotësisht në Lindjen e Mesme, duke shkëlqyer në ekipin që ka si yll kryesor francezin Karim Benzema. Njëzetenjëvjeçari ka shënuar një gol e ka shërbyer dy asiste në 12 ndeshje, ndonëse luan në prapavijë, si mbrojtës krahu.