Nga Ylli Pata

Është e dyta herë që Sali Berisha ka sulmuar një nga ikonat e shtypit botëror siç është “New York Times”.

Në një dalje mediatike, Berisha akuzoi të përditshmen më të madhe në SHBA si të paguar nga Edi Rama, pasi ka botuar një raport mbi pajtimin nga kreu i PD-së së këshilltarit amrikan Chris LaCivita.

Në fakt, shkrimi i NYT i bënte publicitet atij lajmi që PD-ja e dha me bujë, përkatësisht pajtimit të një emri të njohur të fushatave amerikane në Shqipëri për PD-në.

Ishte vetë Berisha dhe drejtuesit të tjerë të PD-së që bënë bujë të madhe, duke e shitur një hyrje në paradhomën e Donald Trumpit.

“New York Times”, nuk bëri gjë tjetër veçse e raportoi për lexuesin e saj amerikan, faktin e punës në Shqipëri të LaCivita-s.

Natyrisht ka publikuar në raport edhe faktin se Sali Berisha është i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë, si dhe është i pandehur në Shqipëri për korrupsion. Fakte këto që qëndrojnë të gjitha.

Atëherë përse Berisha u irritua nga artikulli i gazetës amerikane? Sepse në atë raport të vogël, ka një zhvillim të madh që rrëzon të gjithë kështjellën e rërës së propagandës në lidhje me këshilltarin e Trump, i cili në një prononcim për të përditshmen prestigjoze thekson se ai nuk është pajtuar për të qenë lobist i PD-së dhe Sali Berishës, por thjesht pë të bërë fushatë, gjë që ai e ka bërë edhe në SHBA prej vitesh.

Një deklaratë që hedh në erë të gjithë narrativën e ndërtuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij se “Non grata është hequr de fakto”.

“New York Times” nuk ka bërë asgjë veçse punën e një media profesionale, që duket po harrohet gjithnjë e më shumë jo vetëm tek ne.

Ndërkaq, pesha e madhe e së përditshmes së Nju Jorkut, është se ajo ka një mundësi ndikimi të madhe shumë në administratën amerikane, përkatësisht në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë.

Nuk ka aspak çudi që së shpejti të kemi edhe një qëndrim të afërt për këtë çështje nga administrata e re.

Është e dyta herë që “New York Times” bëhet tmerri i Sali Berishës. Hera e parë ishte pikërisht pas katastrofës së Gërdecit, kur e përditshmja prestigjoze bënte një radiografi të plotë të historisë së korrupsionit në lidhje me punishtën e vdekjes.

Në atë kohë, Berisha në kulmin e pushtetit, quajti “New York Times”-in, një “letër higjenike”.