Për të dytën herë radhazi e nisi që nga fillimi. Kristian Asllani fitoi përsëri besimin e trajnerit Simone Inzagi, diçka që nuk mund të hidhet poshtë, ndonëse sërish e pati të vështirë.

U përpoq shumë në 63 minuta që ishte në fushë në duelin çerekfinal të Kupës së Italisë, që Interi e fitoi 2-0 ndaj Lacios, dhe as nuk mund të thuhet se zhgënjeu, por as që mrekulloi. U përpoq edhe të shënonte, vrapoi shumë realizoi shumë pasime, veçse të thjeshta, dhe mori të verdhë e nuk luan në gjysmëfinale.

“Skaj Sport” tregohet me objektiv në vlerësim duke I dhënë shqiptarit notën 6, për një paraqitje aspak të keqe dhe me shumë impenjim.

“Goal.com” nuk ndan të njëjtin mendim, pasi mesfushori ka merituar vetëm një 5.5 nga kjo media e njohur sportive europiane.
Edhe më keq njëra nga gazetat më të shquara në Itali, “Il Korriere dela Sera”, për të cilën Asllani nuk duhet të marrë më shumë se 5.

“Virxhilio Sport” është mjaft më dashamirës me notën 6, ndonëse e qorton për kartonin e verdhë që mund të shmangej!
Ndoshta tepër profesionale agjencia “Sofaskor”, për të cilën Asllani ishte ndër 5-6 lojtarët më të mirë të Interit, me notën 6.8, dhe nuk dalloi aspak nga mesfushorët e tjerë!

Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në verë me të, nëse Interi do ta mbajë apo do ta përdorë si monedhë shkëmbimi.
Futbolli është I tillë, edhe kur që në fund të shkurtit thuajse ke arritur minutazhin e gjithë sezonit të kaluar.

Asllani ka luajtur deri në 26 shkurt 1025 minuta në krahasim me 1 066 në total të edicionit të kaluar.