Safet Bajri ka folur rreth atentati që ndodhi më 23 gusht në Vaun e Dejës, Shkodër. Bajri ka thënë për “Top Channel” se nuk ka dijeni për ngjarjen e ndodhur, por nëse do të ishte aty do të lajmëronte Policinë. Sipas, Bajrit atentati mund të ketë ndodhur për problem të tyre personale, por nuk ka informacione rreth kësaj ngjarje. Më tej, ai shtoi se nuk ka kontakte me Eljo Hatën dhe nuk ka dijeni rreth tij. Ai tha se Hatën e ka takuar vite më parë, por nuk ka kontakte me të, pasi nuk janë të afërt.

“Pse kanë qëlluar ata, ata e dinë arsyen. 100% them unë, me problemet e tyre personale që ata mund të kenë. Makina është prishur dhe kanë qenë duke pritur karrotrecin dhe karrotreci është shoqëruar në Polici. Kur kanë qëlluar makinën, kanë dyshuar se makina me xhama të zinj, të panjohura, kanë dyshuar se dikush ka shkuar për ta. Më mirë se e dinë ata, nuk e di. Unë jam 1000% i sigurt se ata persona nuk kanë pasur asgjë në drejtim të atyre çunave, as në drejtim timin dhe as në drejtim të makinave. Se kanë dyshuar për gjërat e veta se çfarë janë ato makina që na kanë ardhur. Nuk po e konfirmoj se kam qenë në Bushat, do të doja të isha. Të isha unë aty asnjë makinë s’do kisha lejuar të largohej nga vendngjarja, do të kisha telefonuar Policinë dhe do i kisha thënë “hajdeni këtu”, nuk do t’i kisha lënë. Makinat janë të blinduara, pse duhet t’i lëvizësh prej vendngjarjes dhe kur kalon një motorr dhe qëllon. Komisariati është afër, Policia vjen në minuta. Eljo Hatën nuk e njoh dhe nuk kam komunikim me të. Mund ta kem njohur vite më parë, mund të ketë 10-15 vite. Dhe na ka ndarë jeta, nuk kemi pasur shoqëri. E vetmja gjë që kam negociuar për dorëzimin e Izmir Sakiçës dhe Samuel Troshanit ka qenë mos t’ju shkojë dita si Eljo Hato. Eljo Haton herë e bëjnë të vdekur, herë të gjallë, herë thojnë vrau, herë vdiq, herë kështu, herë ashtu. Të vërtetën më mirë se e di SPAK, nuk e di askush”, ka thënë Bajri në Top Story.

Në lidhje me atentatin e 23 gushtit në Vaun e Dejës, Bajri u shoërua në Polici, dhe më pas u la i lirë, pasi u mor në pyetje. Por, avokati i tij, Sokol Tahiraj u shpreh asokohe, se ai u shoqërua në Polici për një verifikim dhe nuk ka lidhje me ngjarjen në Bushat.

Çfarë ndodhi me “Audin” e blinduar me 23 gusht?

Sipas burimeve të policisë kriminale në Shkodër, automjeti tip “Audi” me targa gjermane, i cili është gjetur i braktisur në vendin e ngjarjes, ka të dhëna se është përdorur për një kohë nga Eljo Hato, person ky i shpallur në kërkim nga SPAK-u, lidhur me ngjarjen e plagosjes së Taulant Pepaj në muajin shkurt 2021 në Shkodër. Por ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shkodrës.

Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i vëllezërve, i cili po ashtu është shpallur në kërkim. Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motorr me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMë, që aktualisht është sekuestruar nga Policia. Autoritet kanë dyshime konkrete se mes palëve ka pasur edhe shkëmbim zjarri. Deri tani nuk raportohet se ka pasur të plagosur, megjithatë nuk përjashtohet që ndonjë prej personave të lartpërmendur të ketë rënë pre e plumbave.