Pas Trump erdhën përmbytjet. Erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut goditën Rripin e Gazës herët këtë mëngjes, me stuhinë e dimrit që përmbyti tendat që strehoi familjet e zhvendosura dhe grisi mbulesën plastike që ata kanë përdorur në shtëpitë e tyre të shkatërruara.
Megjithatë, banorët thanë se planet e shpallura të presidentit amerikan që SHBA të marrë kontrollin e enklavës dhe t’i dëbojë ata, e kanë forcuar vendosmërinë e tyre për të qëndruar.
“Me gjithë tragjedinë që po përjetojmë, pavarësisht shiut dhe motit shumë të keq, njerëzit janë pa çati”, tha Qassem Abu Hassoun, mes shiut dhe shtëpive të shkatërruara në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Familja e tij u kthye atje, në shtëpinë e tyre të shkatërruar, sapo u shpall armëpushimi më 19 janar, pasi kishte kaluar muaj për të gjetur strehim më në veri. Ata nuk kanë në plan të largohen përsëri.
“Njerëzit janë identifikuar me vendin e tyre, tokën e tyre”, i tha ai Reuters.
Natën, pasi shumica e banorëve të Gazës u informuan për njoftimin e Trump, stuhia zgjoi familjet e fjetura dhe grisi tendat e improvizuara të bëra prej plastike.
Sot në mëngjes, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi ushtrinë të përgatiste një plan që do të lejonte “largimin vullnetar” të banorëve të Gazës.
“Duket sikur edhe moti është kundër nesh, por as moti, as Trumpi, as Izraeli nuk do të na flakin nga toka jonë”, tha Abdel Gan, baba i katër fëmijëve që jeton me familjen e tij në rrënojat e shtëpisë së tyre në qytetin e Gazës, e cila u shkatërrua nga Izraeli.
Erërat i larguan copat e najlonit që kishin përdorur për të mbuluar xhamat e thyer dhe vrimat në mure. Uji i shiut hyri brenda. Megjithatë, ata nuk po shkojnë askund, siç ai tha për Reuters përmes një mesazhi me tekst.
“A është ai i çmendur?”, tha Gann, duke iu referuar Trump. “Nuk do ta shesim tokën për ty, kontraktor. Ne jemi të uritur, jemi të pastrehë dhe të dëshpëruar, por nuk jemi tradhtarë. Nëse ai dëshiron të ndihmojë, le të vijë dhe të rindërtojë për ne këtu”.
Në Izrael , Channel 12 raportoi se plani i Katz-it do të përfshinte opsione për largim nëpërmjet vendkalimeve tokësore, si dhe rregullime të veçanta për nisje nga deti dhe ajri.
Zhvendosja e palestinezëve është një nga çështjet më të ndjeshme në Lindjen e Mesme. Zhvendosja me forcë e një popullsie nën pushtimin ushtarak përbën një krim lufte, të ndaluar sipas Konventave të Gjenevës të vitit 1949.
Bassem Naim, një zyrtar i Hamasit, i tha Reuters se deklarata e Katz-it nuk ishte befasuese dhe synonte të mbulonte dështimin e Izraelit për të arritur qëllimet e tij në luftën në Gaza.
Izraeli ka thënë se qëllimi i tij ishte të eliminonte Hamasin, grupin e armatosur që ndezi luftën me një sulm të përgjakshëm më 7 tetor 2023. Por që kur armëpushimi hyri në fuqi tre javë më parë, militantët e Hamasit kanë rifituar kontrollin e enklavës.
Ndërkohë, qindra mijëra palestinezë që kishin ikur në pjesë të tjera të Gazës u kthyen në shtëpitë e tyre, veçanërisht në pjesën veriore të enklavës, e cila është pothuajse plotësisht e shkatërruar. Naimi tha se kjo dëshmon lidhjen e thellë të palestinezëve me tokën e tyre.
“Nëse janë të sinqertë në kërkesat e tyre, duhet të vazhdojnë me heqjen e kësaj bllokade mbytëse në Gaza, të hapin kalimet dhe do të tronditen kur të shohin se numri i atyre që kthehen në Gaza do ta kalojë numrin e atyre që largohen, pavarësisht shkatërrimeve të mëdha”, tha Naimi.