Mediat gjermane po raportojnë se Bayern Munich ka tërhequr ofertën për rinovimin e kontratës me mesfushorin Joshua Kimmich. 30 vjeçari është i lidhur me këtë klub deri në fund të sezonit dhe më pas duket se palët do të ndajnë rrugët.
Kimmich, i cili ka luajtur më shumë se 400 ndeshje për gjigandët gjerman që kur erdhi nga Leipzig në vitin 2015, thuhet se fiton rreth 20 milionë euro në vit.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, drejtuesit e Bayern janë të pakënaqur nga fakti që Kimmich po heziton dhe po merr shumë kohë, ndaj kanë vendosur që të tërheqin propozimin e bërë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Kimmich është i lirë të bashkohet me një klub tjetër në fund të këtij sezoni, përderisa nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me Bayernin për rinovimin. Ka patur spekulime për një ribashkim të mundshëm me ish-trajnerin e Bayernit, Hansi Flick te Barcelona, por është ende herët për të folur.