Bashkimi Evropian (BE) akordoi një ndihmë financiare prej 250 milionë eurosh për të mbështetur Moldavinë në vitin 2025, e cila po përballet me “shantazhin energjetik” nga Moska pas ndërprerjes së furnizimit me gaz rus në rajonin separatist të Transnistrisë.
“Sot ne po ndërmarrim një hap themelor për të ndihmuar Moldavinë të rimarrë kontrollin e fatit të saj energjetik,” shkroi Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Cos në platformën X gjatë një vizite në Kishinau.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka dënuar “shantazhin energjetik” të Moskës, duke premtuar se do t’i ofrojë ish-republikës sovjetike “integrim të plotë në tregun energjetik të BE-së, duke u shkëputur nga Rusia”.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainën fqinje, vendi me rreth 2.5 milionë banorë, në negociata për t’u anëtarësuar në BE, ka denoncuar një “luftë hibride” të orkestruar nga Kremlini, e cila përfshin një krizë energjetike, dezinformim dhe ndërhyrje në zgjedhje.
Dërgesat e gazit rus nëpërmjet Ukrainës, e cila furnizonte Moldavinë, dhe rrjedhimisht Transnistrinë, u ndërprenë më 1 janar për shkak të skadimit të kontratës midis Kievit dhe Moskës.
Gazprom, megjithatë, refuzoi të furnizojë me gaz në Kishinau përmes rrugëve të tjera të mundshme, për shkak të një mosmarrëveshjeje financiare mbi shumën e borxhit që Kishinau duhet të zgjidhë.
Ndërkohë, autoritetet separatiste kanë vendosur ndërprerje ditore të energjisë dhe kanë mbyllur shumë fabrika për të reduktuar tendosjen në rrjetin elektrik.