Nga Marin Nikaj
Sali Berisha ka vendosur të dalë jashtë vendit, në takimet me diasporën në funksion të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti.
Në Gjermani dështoi, pasi nuk iu mblodh asnjë shqiptar që jeton në këtë vend. Me me sa duket ia kanë pirë ‘lëngun’ Berishës dhe jo që votën nuk ia japin, por as me sy nuk duan ta shohin, live të paktën në sallë.
Ndërkohë që dhe në Itali, një nga dy vendet, sëbashku me Greqinë, që kanë numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, e njëherësh dhe dëshirën më të madhe për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, Berisha kishte një pjesëmarrje të paktë.
Por si gjithnjë e ka paraqitur me shifra të fryra, e ka zakon shumfishimin e numrit të pjesëmarrësve më protestë apo takime, duke e cilësuar si takimin më të madh të realizuar ndonjëherë. Masa duket ish kryeprokurori Adriatik Llalla i shpallur në kërkim nga shteti shqiptar pas dënimit me dy vite burg dhe i ardhur në takimin e Berishës si azilant në Itali, dhe Gjin Gjoni, ‘sheiku’ i drejtësisë shqiptare, tashmë kryetar i PD Lezhë dhe kandidat për deputet, i duken Berishës të shumëfishuar vizualisht, që zëvendësojnë mijëra shqiptarët e munguar në këto takime.
Ndërkohë që në Greqi Berisha është ndjerë si në ‘shtëpinë’ e vet. Në krah kishte Fredi Belerin, i cili më herët që nga burgu për vjedhje votash për bashkinë Himarë, kandidat i propozuar nga Berisha në zgjedhjet vendore të kaluara, u ‘katapultua’ nga Mitsotakis me atë ‘inatin’ grek por dhe shqiptar të Berishës, që kishin me Edi Ramën, në deputet të Parlamentit Evropian. Që t’i marrë erzin Greqisë në fakt, pasi e uli ‘stekën’ duke dërguar si përfaqësuesin e vet në Bruksel një hidraulik. Dhe jo hidraulik grek, por një shqiptar safi nga Progonati i Tepelenës!
Takimi i Berishës me diasporën në Greqi, janë gati 100 mijë emigrantë shqiptarë që punojnë e jetojnë në këtë vend, e për pasojë dhe pesha e votës së tyre është e madhe, ka qënë me të vërtetë një vetëvrasje politike për nga mënyra se si u zhvillua dhe çfarë u artikulua në këtë tubim.
Se kush ia ka futur në mendje Berishës se gjaku i shqiptarëve në Greqi është ‘bërë ujë’ nuk dihet, por ai ka gjetur në mënyrë aspak të gjetur që t’i përshëndesë ata në gjuhën greke, duke u thënë ‘efxaristo poli’ (faleminderit shumë), teksa shtoi se ata kanë qenë një faktor shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Greqisë.
Duke u folur në gjuhën greke, ashtu me dialektin tropojan, a thua pozhvillonte takim në jug të Shqipërisë me minoritetin grek, edhe aty ata votojnë në favor të PS për hir të së vërtetës e nuk e kanë begenisur kurrë Berishën, kreu i PD është larguar akoma më shumë prej emigrantëve, pasi i cilëson grekë tashmë. Dhe në vend që të kërkojë votën e tyre si shqiptarë të larguar për një jetë më të mirë jashtë vendit, por të interesuar për fatet e atdheut të tyre, Berisha i ka larguar akoma më shumë, duke e bërë thuajse të pamundur nxitjen e dëshirës për të votuar për PD më 11 maj. Madje dhe ata që kanë qënë me gjysmë mendjeje për të dhënë votën për opozitën, nga takimi me Berishën në Athinë i cili thuajse zyrtarisht i quajti grekë teksa iu drejtua në gjuhën greke, e kanë tërhequr mbështetjen. Nëse sheh në rrjetet sociale, dhe demokratët më të thekur janë shfaqur tepër të irrituar dhe të indinjuar me këtë sjellje të Berishës.
Nuk dihet nëse ka qënë këshillë e drejtuesit amerikan të fushatës Chris LaCivita, apo Berisha ka vepruar rëndom si gjithnjë, e ka nga mendja e vet pasi ai nuk merr këshilla kurrë, por i këshillon vetë këshilltarët.
Njëherësh në krah kishte pikërisht Fredi Belerin, të akuzuarin prej tij si ushtar i të ashtuquajturit ‘Vorio Epir’ dhe pjesëtar i bandës që masakroi e vrau ushtarakët në postën kufitare të Peshkëpisë në vitin 1994. Dhe për vite e vite me radhë e ka sulmuar Belerin si një ekstremist grek, ndërsda e di si të gjithë shqiptarët se ka një dënim nga gjykatat shqiptare për fyerje të simboleve kombëtare. Madje dhe shteti grek e kishte dënuar Belerin pikërisht për këtë arsye, për armëmbajtje pa leje.
Berisha kishte zgjedhur pikërisht Belerin, këtë përfaqësues të ekstremizmit grek në Shqipëri, i cili dhe në fushatën për kryetar të bashkisë Himarë kishte si strategji zyrtare të tij helenizimin e jugut të Shqipërisë, për të ‘joshur’ shqiptarët e diasporës në Greqi, që të votonin PD në zgjedhjet e 11 majit. Pikërisht ata shqiptarë që për vite e vite me radhë kanë vuajtur në kurriz sjelljen e ekstremistëve grekë edhe të Agimit të Artë, përfaqësues i të cilit është në Shqipërisë Fredi Beleri. Eshtë si t’u thuash shqiptarëve që jetojnë në Greqi, ‘votoni përfaqësuesin e atyre që ju kanë dhunuar, votoni dhe Berishën që i ka në krah’.
Ndërkohë që si për t’i vënë ‘kapak’ sjelljes aspak dinjitoze me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, Berisha nuk ka munguar të deklarojë se do të rikthejë sërish marrëveshjen e ‘detit’, e cila ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, me argumentin se është falur territor shqiptar Greqisë dhe cënuar tërësia territoriale e vendit tonë. Në një vend normal, drejtësia duhej ta kishte marrë të pandehur Berishën për tradhëti kombëtare, jo ta linte të livadhiste sot e kësaj dite me këtë marrëveshje poshtë ‘sqetullës’, duke kërcënuar për ta rikthyer sërish.
Po ku pyet Berisha. Më shumë se sa shqiptarëve të diaporës në Greqi, i drejtohej qeverisë greke si për ta marrë me të mirë se është gati të bëjë gjithçka vetëm që ta ndihmojë të vijë në pushtet.
Në fjalën e mbajtur Berisha riktheu në vëmendje marrëveshjen për detin të qeverisë së tij në vitin 2009 me Greqinë, të cilën e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në atë kohë. Berisha tha se me atë marrëveshje fitonin të dy palët, ndërsa nëse PD kthehet në pushtet pas 11 majit, ajo marrëveshje do të finalizohet. ‘Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira’, tha Berisha.
Berisha thotë se marrëveshja e qeverisë së tij ishte më e mira e mundshmja ku fitonin të dy palët, ndërsa ajo u përmbys nga Edi Rama. Pra Berisha merr në mbrojtje qeverinë greke. “Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës. Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese’, thotë Berisha.
Berisha zotohet para palës greke se nuk do ta pyeste më Gjykatën Kushtetuese dhe as vendiminn e saj dhe do t’ia falë këtë pjesë të detit Greqisë, në këmbim të mbështetjes politike. E tha në takimin me shqiptarët në Greqi, dhe në sytë e mijëra shqiptarëve të tjerë që e ndoqën nga TV-të apo e panë në rrjetet sociale. Për të cilët kishte udhëtuar deri në Athinë që të kërkonte votën më 11 maj të këtij viti
Me sa duket Berisha mendon se gjaku i shqiptarëve është ‘bërë ujë’, patriotizmi i tyre është si i Berishës, vetëm në funksion të pushtetit. Eshtë vështirë që me këto premtime, për të shitur vendin dhe duke rikthyer Belerin në politikën shqiptare, të marrësh ndonjë votë nga diaspora. Dhe pastaj akuzon Ramën se i bleu votat. Po ku ka mënyrë më të mirë dhe më të saktë që të humbësh votat e diasporës, se sa t’u thuash në takim drekjtëpërdrejtë në Athinë se do t’i falë pjesë nga territori shqiptar, Greqisë. Një deklaratë kjo e bërë me Belerin ekstremist të Agimit të Artë në krah, dhe mbi të gjitha pas një përshëndeëtje në gjuhën greke nga ana e Berishës. Eshtë si të përmendësh ‘litarin në shtëpinë e të varurit’. Nuk besojmë se është këshilla e këtij drejtuesit amerikan të fushatës që e paguan miliona dollarë për të bërë fushatë. Do ishte katastrofë vërtetë.