Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet sërish të hënën në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të zbatuar masën e sigurimit që i është vendosur nga Apeli i GJKKO. Nesër, në orën 9.30 të mëngjesit, Berisha do të shkojë për t’u paraqitur në SPAK, por jo i vetëm. Edhe kësaj here, bashkë me të do të shkojnë mbështetësit e Partisë Demokratike.
Ndaj për t’i paraprisë, Partia Demokratike ka shpërndarë një mesazh tek struktruat e saj duke kërkuar mobilizim për kryedemokratin.
“Te dashur miq. Nesër ditën e hënë ne ora 9:30 serish Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do jete ne dyert e SKAP. Ju lutem te mobilizojmë strukturat e degëve për te qene te gjithë aty. Ne orën 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit!,”- thuhet në mesazhin e PD.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.