Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se takimi mes delegatëve amerikanë dhe rus në Riad tashmë ka përfunduar. Takimi zgjati më shumë se katër orë, shkruan BBC.

Pala amerikane përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, përfaqësuan Rusinë.

Takimi i 18 shkurtit në Riad u zhvillua pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.