Postimi i Ilirjan Celibashit:
Sot, prita në një takim pune Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Olsian Çela. Diskutimet u fokusuan në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm, të lirë dhe të pacënuar nga paligjshmëria. Në përfundim të takimit, u dakordësuam mbi një qasje të re, më proaktive, për të hetuar dhe ndjekur penalisht shkeljet e ligjit zgjedhor, veçanërisht ato që lidhen me veprat penale të hetueshme nga Prokuroria në procesin elektoral. Ky angazhim synon parandalimin dhe ndëshkimin e çdo përpjekjeje që cënon integritetin e zgjedhjeve. Për të forcuar mbikëqyrjen dhe ndërhyrjen e shpejtë në rastet e parregullsive zgjedhore, @KQZShqiperi dhe @ProkuroriaAl do të shtrijnë bashkëpunimin edhe me Policinë e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit. Gjithashtu, dy institucionet do të vendosin në funksionim një protokoll koordinimi institucional, i cili do të përfshijë caktimin e personave të kontaktit nga Prokuroria e Përgjithshme, të stacionuar pranë KQZ-së, me akses të plotë në kohë reale të informacionit që vjen nga çdo qendër zgjedhore. Prokurori i Përgjithshëm më bëri me dije se janë duke u planifikuar një sërë masa në drejtim të organizimit të strukturave të prokurorisë që do të trajtojnë çështjet dhe detyrat zgjedhore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, duke adresuar në kohë çdo aktivitet të paligjshëm që mund të dëmtojë zgjedhjet. Protokolli i koordinimit institucional për procesin zgjedhor do të garantojë shkëmbim të shpejtë dhe profesional të të dhënave, si dhe bashkëpunim të ngushtë për ndjekjen e rasteve të shkeljeve të ligjit zgjedhor. Së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm riafirmuam angazhimin maksimal për të garantuar një proces zgjedhor të besueshëm dhe të mbrojtur nga çdo formë ndërhyrjeje apo abuzimi.